Presidenca: SHBA s’ka shprehur qëndrim kundër hapjes së urës por kohës së papërshtatshme
Ndërsa, Bashkimi Evropian vazhdon të riktheksojë deklaratën se çështja e urës së Ibrit duhet të diskutohet në dialogun në Bruksel.
Lidhur me këtë çështje, nga Presidenca e Kosovës kanë thënë për Gazeta Blic se presidentja Osmani ka të njëjtin qëndrim sa i përket diskutimit të hapjes së urës në dialog, të dhënë dy javë më parë.
“Çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, kishte deklaruar Osmani me 1 gusht.
Ndërsa, Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë, thotë për Gazeta Blic se SHBA-të kanë shprehur shqetësimet për rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me Presidenten, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë, të cilët çdoherë kanë dalë në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe jetës së qytetarëve tanë”, thotë Kupina.
Ai thekson se SHBA-të në takimet me presidenten Osmani nuk janë shprehur kundër hapjes së urës, por kanë kërkuar bashkëpunim për momentin më të përshtatshëm sa i përket sigurisë.
“SHBA-të asnjëherë, në takimet që kemi pasur, nuk i kanë shprehur Presidentes qëndrim kundër hapjes së urës, por thjeshtë kanë kërkuar bashkëpunim në përcaktimin e momentit më të përshtatshëm nga aspekti i sigurisë dhe ndërtim të një plani të përbashkët për zbatimin e hapjes së urës, që është në interes të të gjithë qytetarëve tanë”, deklaron Bekim Kupina.