Presidenca s’tregon nëse ka shkëmbyer letrat për EULEX-in, Kurti i gatshëm për t’ia vazhduar mandatin

13 qershor 2021 | 16:46

Sipas vendimit të marrë më datë 3 qershor 2021, Këshilli i Bashkimit Evropian ka vendosur që t’ia vazhdojë misionin EULEX-it në Kosovë, deri më 14 qershor të vitit 2023. Këtij misioni, të hënën zyrtarisht i skadon mandati, megjithatë, ende nuk dihet nëse Presidenca e Kosovës i ka nënshkruar shkëmbimet e letrave me BE-në lidhur me këtë çështje. Kryeministri Albin Kurti në anën tjetër, në darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor ishte shprehur i gatshëm që ta marrë vendimin për vazhdimin e misionit.

Mandati i misionit të EULEX-it skadon nesër më 14 qershor, megjithatë, Këshilli i BE-së ka vendosur që ta zgjasë deri në vitin 2023, raporton Demokracia.com.

Një gjë e tillë u konfirmua përmes vendimit të datës tre qershor, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Madje, janë ndarë edhe mjetet për këtë mision, ku është vendosur që shuma e shpenzimeve të jetë 173 milionë e 693 mijë e 683 euro.

Ndërkaq jashtë kësaj shume, shuma që parashihet për misionin e EULEX-it për zbatimin e mandatit të tij në Kosovë do të jetë 57 milionë euro dhe shuma e parashikuar për të mbuluar mbështetjen për procedurat gjyqësore të zhvendosura brenda një shteti anëtar do të jetë 115 milionë e 793 mijë e 683 euro.

Sidoqoftë, ende nuk dihet nëse presidentja Vjosa Osmani i ka nënshkruar shkëmbimet e letrave mes Kosovës dhe BE-së lidhur me këtë çështje ose jo.

Demokracia.com gjatë javës që po lëmë pas, por edhe të dielën, ka tentuar të marrë një qëndrim nga presidenca, por deri në momentin e publikimit të tekstit, nuk ka pasur përgjigje.

Mirëpo, vlen të theksohet se sipas raportit të kryediplomatit evropian, Josep Borell, të dërguar shteteve të Këshillit Evropian, kryeministri kosovar, Albin Kurti është pajtuar që t’i zgjatet mandati EULEX-it.

Veç kësaj, ai ka shprehur edhe gatishmërinë për bashkëpunim me Gjykatën Speciale.

Lidhur me punën e EULEX-it në Kosovë, për Demokracia.com gjatë së martës ka folur ish-gjykatësi i këtij misioni, Malcolm Simmons.

Simmons ka konfirmuar se gjatë së hënës i ka dërguar një letër kryeministrit Albin Kurti, ku mes tjerash, ka folur për EULEX-in dhe shkeljet që sipas tij, po bëhen nga ky mision.

“Dje kryeministri Albin Kurti ka pranuar deklaratën time. Në atë deklaratë, unë i referohem shkeljeve serioze të drejtësisë dhe sundimit të ligjit të kryera nga një mision që pretendon ta promovojë sundimin e ligjit”, tha ai për Demokracia.com.

Pyetur nga Demokracia.com lidhur me mundësinë që autoritetet kosovare t’i zgjasin mandatin këtij misioni, Simmons tha se kjo mbetet çështje e tyre.

Megjithatë, ai theksoi se misioni i EULEX-it “ka minuar në mënyrë aktive parimet themelore të drejtësisë dhe sundimit të ligjit”.

“Është çështje e autoriteteve në Kosovë nëse ia zgjasin mandatin EULEXI-it. Nëse ndërgjegjja e tyre kolektive dikton që zgjatja e mandatit të një misioni që ka minuar në mënyrë aktive parimet themelore të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe kërkon të çojë përpara një agjendë politike, ndërsa pretendon të miratojë një qëndrim neutral se është në interes të popullit të Kosovës, atëherë, si demokraci, kanë të drejtë ta marrin këtë vendim”, tha ai për Demokracia.com.

Ndryshe, EULEX-i ka filluar misionin në Kosovë në vitin 2008, pasi që Kosova shpalli pavarësinë e saj. Ai përbën misionin më të madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.

Ngjashëm me UNMIK-un, edhe EULEX-i funksionon brenda kornizës së Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është duke vazhduar bashkëpunimi i qytetarëve dhe mediave në parandalimin…