Presidentes i kërkohet t’i jap fund procesit të stërzgjatur për kryeprokurorin e shtetit
Këtë muaj bëhen një vit prej kur pozita e kryeprokurorit të shtetit udhëhiqet me ushtrues detyre. Emri i Blerim Isufajt, propozim i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) vazhdon të qëndrojë në tavolinën e presidentes Vjosa Osmani, e cila nuk ka marrë ende asnjë vendim për emërimin e kryeprokurorit të ri.
Organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar nga Osmani që t’i jap fund këtij procesi të stërzgjatur duke dekretuar Isufjan, ose duke e kthyer të gjithë procesin në pikën zero.
Drejtoresha e Lëvizjes “Fol”, Mexhide Demolli, ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetueses se Ligji për KPK-në është jokushtetues, presidentja Osmani nuk ka më arsye të mos vendosë për dekretimin apo jo të kandidatit të propozuar.
Mendim të njëjtë ka ndarë edhe hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lavdim Makshana, i cili ka thënë se tashmë kanë pushuar të gjitha shkaqet që Osmani mos të vendosë për procesin e kryeprokurorit të shtetit.
Makshana është shprehur se procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit i ka munguar integriteti, prandaj e shohin të rrugës që i gjithë procesi të kthehet në pikën zero.
Ndërsa këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina, në një përgjigje për “Kosovapress”, ka thënë se bazuar në vërejtjet për këtë proces, është e nevojshme që të pritet shterimi i të gjitha mundësive dhe afateve kushtetuese që kundërkandidatët kanë për të adresuar në rrugë gjyqësore.
Kupina ka thënë se nuk ka asnjë pengesë ligjore e kushtetuese që kryeprokurori i shtetit të udhëhiqet me ushtrues detyre.
Ndërsa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë thënë për “Kosovapress”se për këtë institucion është me rendësi që sa më shpejt në krye të institucionit të Prokurorisë së Shtetit të kenë kryeprokurorin e dekretuar.
Në garë për postin e kryeprokurorit të shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi. Pozita e kryeprokurorit kishte mbetur e lirë pasi Aleksandër Lumezit i pati përfunduar mandati.
Aktualisht detyrën e kryeprokurorit të shtetit është duke e ushtruar prokurori Besim Kelmendi.