Presidentët Clinton dhe Bush ia mbajtën fjalën Ekrem Bardhës për Kosovën

02 gusht 2018 | 19:23

Shkruan: Ferdinand Samarxhi
Fitues i Antenës së Artë/Mjeshtër i Madh

Ekrem Bardha, shqiptaro-amerikani që loboi aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës (4)

– Shqiptari që takoi gjashtë presidentë amerikanë, sekretarë shteti, senatorë, kongresmenë, ambasadorë… U arratis nga Shqipëria, por kurrë dheun, vendin e vet, nuk e tradhtoi. Kosova ishte zemra e tij.

Presidenti Clinton erdhi në Miçigan dhe kërkoi takim me familjen Bardha, me Ilirin, zonjën Lumturi dhe me ju, z. Bardha. Kishte marrë vesh për një e-mail që vajza juaj kishte shkruar nga Tirana, kur strehonte vëllezërit kosovarë me stafin e “Piazzës”. Përse presidenti Clinton e kërkoi takimin me ju?


Ekrem Bardha: Lufta për çlirimin e Kosovës pati edhe dramën e saj njerëzore. Të detyruar nga gjenocidi dhe vrasjet masive të popullsisë shqiptare në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe, qindra e mijëra kosovarë u shpërngulën nga shtëpitë e tyre duke shkuar në Shqipëri dhe Maqedoni. Televizioni “CNN” transmetonte nga Tirana, raste barbare të kryera nga ushtria e Millosheviqit ndaj popullsisë shqiptare, kryesisht grave dhe vajzave të mitura.

Iliri i shkroi Donikës, motrës së tij, që në atë kohë jetonte në Shqipëri, dhe e pyet se çfarë po ndodh. Donika, e cila në atë kohë jetonte në Tiranë dhe administronte restorantin tonë “Piazza”, i shkruan një e-mail të gjatë Ilirit. Atë ditë, Donika shkoi ta vizitojë kampin e refugjatëve dhe mësoi për një çadër ku rrinin katër vajza të mitura, që nuk dilnin nga çadra për shumë ditë, dhe të gjithë u bënë merak. I thanë Donikës që ato ishin shumë të tronditura dhe të turpëruara nga abuzimi, nga përdhunimi nga paramilitarët serbë në një kazermë, dhe shkulnin flokët dhe qanin.

Donika dërgoi një vajzë për të pyetur nëse kishte mundësi për t’i takuar dhe biseduar me ato vajza. Përgjigja ishte negative, mbasi vajzat nuk pranonin të takonin asnjëri. Atëherë Donika u kthye në shtëpi e tronditur vetë nga situata, dhe i shkruan Ilirit ngjarjen me shumë detaje për historinë e vajzave në çadër, si dhe për situatën e përgjithshme të refugjatëve që po hynin në Shqipëri.

Dua të bëj një parantezë këtu për të thënë dy fjalë për Donikën, e cila ka qenë pranë meje në të gjitha betejat e rëndësishme që ne kemi bërë për çështjen kosovare. Donikën e kam pasur në krah, si një këshilltare shumë të mirë që me çështjen Ivezaj, gjatë dëshmisë sime në nënkomisionin e të Drejtave të Njeriut në Kongresin Amerikan, por dhe në takimet e shumta me kongresistë, senatorë dhe zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit. Gjatë kohës së fluksit të madh të refugjatëve kosovarë në Shqipëri, në Kukës, por dhe në qytetet e tjera të vendit, Donika ishte në Tiranë ku merrej me administrimin e restorantit tonë.

E përfshirë shpirtërisht me problemin kosovar, ajo u kujdes për strehimin e 220 refugjatëve, ndërsa vendosi personelin e restorantit “Piazza” në dispozicion të përgatitjes dhe dërgimit të ushqimeve në çadrat e refugjatëve për një periudhë të gjatë kohore me shpenzimet e saj. Këto kontakte të përditshme të Donikës me refugjatët e luftës të ardhur nga Kosova, sollën dhe dëshminë e dhimbshme të këtyre vajzave kosovare, të traumatizuara nga tmerri çnjerëzor që kishin kaluar.

Letra e Donikës nuk kishte vend për komente dhe më vinte keq për viktimat e pafajshme, të plagosur, gjymtuar, që kishin nevojë të mjekoheshin sa më parë. Menjëherë shpreha dëshirën të jepja një ndihmë për fëmijët e dëmtuar nga lufta.

Ishte ditë e diel kur takova kongresistin David Bonior dhe i fola për masakrat dhe politikën çnjerëzore serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, i fola dhe për refugjatët e Kosovës në Shqipëri si dhe konkretisht u ndala të letra që kishte marrë Iliri, djali im, nga Donika. Ai u emocionua dhe u prek shumë nga kjo letër dhe më tha që nesër, d.m.th të hënën ai do të shkonte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë dhe do ia jepte personalisht këtë letër president Clinton.

Kështu ndodhi. Kongresisti David Bonior më lajmëroi që ishte takuar me presidentin Clinton dhe kur ia kishte lexuar e-mailin, ai ishte prekur shumë nga kjo ngjarje, kishte lotuar dhe kishte kërkuar më shumë informacion se kush e kishte dërguar atë. Sipas kongresistit Bonior, presidenti ishte shprehur se kjo situatë nuk duhet lejuar më. Nisur nga ngjarje dhe nga e-maili i Donikës, kur presidenti Clinton erdhi në Roseville, në Miçigan, kërkoi të takohej me familjen Bardha, dhe donte të takonte Iliri për ta pyetur për email-in.

Në prill të vitit 1999, në mes të fushatës më të egër serbe kundër popullsisë shqiptare, vrasjeve barbare, rrëmbimeve, përdhunimeve dhe plaçkitjeve, presidenti Clinton erdhi në shtetin e Miçiganit, ku zhvilloi një takim me zgjedhësit në qytetin Roseville. Aty ishin ftuar edhe shqiptarë. Dëshira e tyre ishte t’i shprehnin mirënjohje Clintonit dhe ta falënderonin për çfarë ai kishte bërë dhe po bënte për Kosovën. Të gjithë e kishin kuptuar se pa vendosmërinë dhe shtytjen e qeverisë amerikane, nuk mund të fillonin veprimet ushtarake të NATO-s kundër Jugosllavisë.

Pas takimit elektoral në Roseville, presidenti u takua me mua, Ilirin, dhe bashkëshorten time, Lumturi Bardhën. Takimi u zhvillua privatisht dhe pa media. Gjatë bisedës me presidentin Clinton pashë shqetësimin e tij, të cilën e shprehte hapur, ndaj masakrave që po ndodhnin në Kosovë dhe u interesua të mësonte nga ana jonë se si po e ndihmonte diaspora popullatën e shpërngulur me dhunë në Shqipëri, Maqedoni dhe në Mal të Zi. E informuam për veprimtarinë që kishte zhvilluar diaspora dhe ndërkohë e falënderova duke i thënë se shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë ndienin për të po aq respekt sa kishin për presidentin Woodrow Wilson, i cili e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi më 1918-n. Gjithashtu i shpreha shqetësimin që kishim të gjithë.

I thashë presidentit Clinton që të vinte dorën në zemër dhe ai e Qeveria amerikane të bënin çfarë të ishte e mundur për të shpëtuar këtë popull nga mizoritë e shfarosjes së politikës serbe. Presidenti Clinton theksoi se “Millosheviqi ishte një kasap, por krimet e tij nuk do të vazhdonin gjatë. Një ditë ai do të ndëshkohej si kriminel lufte”.

Presidenti pyeti Ilirin për letrën e marrë nga motra e tij Donika, se si kishte ndodhur tragjedia e katër vajzave të mitura kosovare, të cilat nuk dilnin nga çadrat e tyre pas asaj që kishte ndodhur. Unë pashë presidentin Clinton të prekej shumë gjatë shpjegimit që Iliri i bëri letrës së Donikës. Kisha përballë njeriun më të fuqishëm të botës të prekej aq njerëzishëm dhe të përjetonte po aq fort sa dhe ne, tragjedinë e shqiptarëve të Kosovës të shkaktuar nga regjimi serb. Ai premtoi se “Amerika duhet të veprojë që të mos e lejojë këtë gjenocid”. Në fund të takimit ne bëmë edhe një foto me presidentin Clinton.

Në tetor të vitit 1999 familja Bardha mori një letër falënderimi nga presidenti Clinton, letër e cila konsiderohet si një dhuratë e çmuar, por dhe si një premtim pozitiv për të ardhmen e Kosovës.

Presidenti Bill Clinton në konferencë të jashtëzakonshme për Kosovën. Në fotografi, ulur nga e djathta, Ekrem Bardha

 

Në vitin 2004 ju keni dhënë përkrahje financiare për dy partitë, atë Republikane dhe Demokratike. Si e shpjegoni këtë? Cili ishte qëllimi?


Ekrem Bardha: Presidenti i sapozgjedhur George Bush më dërgoi një letër me shkrim dore, ku më falënderonte për ndihmën që i kisha dhënë në Miçigan gjatë fushatës së vitit 2004, zgjedhje në të cilat ai kishte arritur një fitore të jashtëzakonshme me mbi 61 milionë vota në total. Unë financova 100 mijë dollarë amerikanë në mbështetje të presidentit republikan, George W. Bush.

Fotografi nga takimi i Ekrem dhe Lumturi Bardhës me presidentin George Bush

Gjatë një takimi elektoral në Miçigan në vitin 2004, pata rastin të bisedoj me presidentin e Shteteve të Bashkuara, George W. Bush. Ai foli me biznesmenë e personalitete shtetërore, në Dearborn të shtetit të Miçiganit. Pasi iu prezantova si shqiptaro-amerikan, i kujtova presidentit që të mos lërë në harresë çështjen e Kosovës dhe Shqipërinë, në të mirë të vetë politikës së jashtme amerikane. “Si e the?” – pyeti i habitur presidenti, – “Kosovo apo Kosova?” “Po ua shqiptoj ashtu siç e quajë unë dhe shqiptarët: “Kosova”. Dhe ai e përsëriti, “Kosova”. Është ndoshta një detaj i vogël, por me domethënie të madhe. Presidenti Bush u bë kështu i pari udhëheqës i rangut botëror që përmendi Kosovën me emrin me të cilin e thërrasin shqiptarët që përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së saj.

Duke përfituar nga situata, i them: “Zoti president, babai juaj kur ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë, bëri një deklaratë të madhe duke i dalë në mbrojtje Kosovës”. Ai e pohoi deklaratën time dhe tha se do t’i qëndronte besnik asaj politike. Në dhjetor të po atij viti, unë mora një letër falënderimi nga presidenti Bush për mbështetjen që i kisha dhënë gjatë fushatës zgjedhore, përmes së cilës ai u rizgjodh me një fitore historike, rekord, siç e shpreh edhe vetë në letër, me mbi 61 milionë vota. Letër falënderimi nga presidenti George W. Bush mora dhe pas zgjedhjes së tij në krye të Shtëpisë së Bardhë. Më 15 janar 2001, pak ditë para se të bënte betimin në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i 43-të i ShBA-së, George W. Bush, më dërgoi një letër përmes së cilës më falënderonte për ndihmën që unë i kisha dhënë fushatës së tij presidenciale dhe zgjedhjes në krye të vendit.

Letrat falënderuese të presidentëve Ronald Regan dhe George W. Bush dërguar Ekrem Bardhës

Në maj të vitit 2004, gjatë fushatë presidenciale, shqiptarët e Amerikës mblodhën gjysmë milioni dollarë për kandidatin demokrat për president, John Kerry. Në Nju Jork u zhvillua një fundraiser (fushatë për të mbledhur fonde) ku merrnin pjesë diplomatë dhe personalitete të shquara të politikës amerikane, si Richard Holbrooke, gjenerali Wesley Clark, David Philips, aktori Sam Waterson që drejtonte darkën, ishte dhe vëllai i John Kerry, Cameron Kerry, kongresisti Eliot Engel … Përveç meje, nga komuniteti ynë kishte shumë pjesëmarrës, si Ilir Zherka, që ishte dhe drejtor i Këshillit Shqiptaro-Amerikan, Jim Xhema, Harry Bajraktari, Richard Lukaj, Agim Rexhaj, Dino Erbeli, Bruno Selimaj, vëllezërit Bytyçi, Skënder Xhilanga, Musli Mulosmani, Donika Bardha, Lekë Gojcaj etj.

Të pranishmit theksuan se kjo mbrëmje në mbështetje të kandidatit për president John Kerry, përbënte një sukses historik dhe se komuniteti shqiptaro-amerikan kishte lënë gjurmë vendimtare në fushatën e kandidatit John Kerry. Kjo mbrëmje tregoi se në politikën amerikane shqiptarët janë një forcë e madhe dhe se ata kanë miq të vërtetë si Richard Holbrooke, gjeneralin Clark etj. Për të pasur vëmendjen e presidentit amerikan që do të dilte nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2004, si pjesë e komunitetit shqiptar në SHBA, unë vendosa të financoj në fushatat e të dy kandidatëve. Përveç financimit të fushatës të presidentit George Bush Junior, me 100 mijë dollarë, unë financova edhe 100 mijë dollarë për kandidatin demokrat John Kerry, nga i cili gjithashtu mora falënderim për mbështetjen që i dhashë. Mora letra falënderimi si nga presidenti Bush në mandatin e dytë, ashtu dhe nga kandidati demokrat Kerry, por dhe personalitete të shquara të politikës së lartë amerikane, si Richard Holbrooke apo Madeleine Albright.

Ambasadori William Walker, Ekrem Bardha dhe ish-komandanti suprem i NATO-s në Evropë, Wesley K. Clark

Veprimtaria juaj e madhe e lobimit për çështjen shqiptare tërhoqi vëmendjen e studiuesit amerikan Edwin E. Jacques i cili ka shkruar për ju në librin e tij studimor për historinë e popullit shqiptar të cilit i mori 20 vite kohë studim, dhe i cili është botuar edhe në shqip në vitin 2004 dhe në faqet 624-626 ai i referohet aktivitetit të komunitetit shqiptar në Amerikë për mbrojtjen e të drejtave të qytetareve shqiptaro-amerikane. Ja çfarë shkruan Edwin Jacques në librin e tij për Ekrem Bardhën: Ja shembulli i mirë i asaj që mund të bënte një njeri për të protestuar kundër shkeljeve të tilla të të drejtave të njeriut, ishte aktivisti i palodhur Ekrem Bardha.

Ekrem Bardha u largua nga Shqipëria vite më parë dhe u vendos në zonën e Detroitit. Ai u tregua veçanërisht i ndjeshëm ndaj dramës së Pjetër Ivezajt, një emigrant shqiptar nga Kosova, Jugosllavi, i cili u bë qytetar amerikan dhe më vonë u kthye në Jugosllavi që të vizitonte të afërmit. Atje e arrestuan dhe e dënuan me shtatë vjet burgim pasi kishte marrë pjesë në një demonstratë paqësore pesë vjet më parë në Uashington D.C.

Ekrem Bardha vendosi që ta ndihmonte. Ai i bëri apel William Broomfield-it, deputetit të tij nga Miçigani në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Broomfieldi e pranoi se, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë perëndimorë që i gëzonin në mënyrë të pakufizuar të drejtat njerëzore, e kishte të vështirë të kuptonte kufizimet që i kishin bërë Ivezajt. Ngaqë ndërhyrja e tij në Departamentin e Shtetit nuk ishte fort premtuese, ai e shtroi çështjen në Kongres, i armatosur me materiale nga “Amnesty International”.

‘Brenda dy orësh, tha ai më vonë, siguruam firmat e 150 kongresmenëve për t’i mohuar Jugosllavisë statusin e kombit më të favorizuar’. Ky veprim i tërhoqi menjëherë vëmendjen Ambasadës jugosllave dhe shtatë muaj pas burgimit, Ivezaj u lirua menjëherë. Broomfieldi u shpreh: ‘Nuk duhet të lejojmë që vendet e tjera të gëzojnë përfitimet e tregtisë me Shtetet e Bashkuara për sa kohë që ato vazhdojnë të shkelin normat themelore të dinjitetit njerëzor, të cilat janë kaq të rëndësishme për ne’.

Ekrem Bardha dhe bashkëshortja e tij me presidentin e 38 të ShBA-së, Gerald Ford

Bardha, jeni shqiptari që lobuat shumë, bashkë me familjen tuaj, për çështjen e Kosovës që ajo të ishte sot e lirë dhe e pavarur. Ndiheni krenar që lufta, puna, përkushtimi juaj patriotik, atdhetar, nga një ëndërr që ju e mendonit dhe që të tjerët nuk e besonin, është sot një realitet, Kosova është shteti më i ri në hartën e botës, shteti i dytë shqiptar. Si e shihni ju sot Kosovën, zhvillimet dhe perspektiven e saj? Çfarë ju tha sekretarja e shtetit amerikan, Ollbrajt, në takimin me ju në Rambuje për figurën e Thaçit?


Ekrem Bardha: Është një fat i madh që sot Kosova është e lirë dhe e pavarur, shteti dytë shqiptar më i ri në hartën e botës. Sot Kosova si një shtet i ri pavarësisht disa problemeve ekonomike të dala nga lufta dhe jetëgjatësisë saj si shtet prej 10-vjetësh po ecën në të gjitha drejtimet, po konsolidohet si shtet, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare. Perspektivat e Kosovës janë shumë të mira. E ardhmja e saj do jete gjithnjë e më e mirë. Sot dhe në të ardhmen Kosova do te luajë dhe do të jetë një faktor i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

I nderuar z. Ferdinand, në takimin në Rambuje, zonja Ollbrajt gëzonte dhe shprehu një simpati të veçantë për z. Hashim Thaçi, dje udhëheqës politik i UÇK-së, sot president i Republikës së Kosovës: “Është një djalë energjik, i zgjuar, por i vështirë në bisedime”. Është fjala për vendosmërinë që z. Thaçi tregonte dhe kërkonte me këmbëngulje në takimin e Rambujesë, pavarësinë e Kosovës. Unë dua ta mbyll intervistën time duke shprehur respekt dhe mirënjohje për z. Thaçi që ashtu siç tregoi dje vizion për udhëheqjen e luftës së UÇK-së, sot ai po lufton për konsolidimin, rritjen e rolit dhe prestigjin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, bashkë me z. Ramush Haradinaj, kryeministër. Faleminderit! (Fund)

Fotografi nga takimi i Ekrem Bardhës dhe vajzës së tij, Donikës, me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derisa Evropa është mbërthyer nga një valë e të nxehtit,…