“Presidenti 2021”, pika e nxehtë e negociatave LV – LDK

16 nëntor 2019 | 18:47

Marrëveshja eventuale për koalicionin e ardhshëm qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet të përfshijë edhe çështjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, i cili sipas mandatit kushtetues duhet të zgjidhet në pranverën e vitit 2021.

Lidhja Demokratike e Kosovës preferon që të gjitha çështjet, nisur nga ndarja e ministrive e deri te posti i presidentit të përfshihen në marrëveshjen e ardhshme ndërmjet liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa.

Insistimi i LDK-së që të diskutohet edhe për presidentin e ardhshëm që do të vijë në krye të shtetit në vitin 2021, ndërlidhet me faktin se nëse presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon në zgjedhje, andaj LDK-ja nuk preferon një marrëveshje koalicioni që do të zgjaste një vit e gjysmë.

Kurse Vetëvendosje, nuk e preferon shumë debatin për presidentin në këtë fazë, por i bën thirrje LDK-së që të mos presë më certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për t’u marrë vesh rreth ndarjes së ministrive.

Përderisa pozita e kryeministrit nuk i është kontestuar liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, krahas postit të presidentit, një pozitë tjetër që shihet si pikë më e vështirë për negociata është ajo e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se pozita e presidentit dhe ministrit të Jashtëm nuk do të duhej të komplikonte bisedimet që si qëllim kanë arritjen e një marrëveshjeje.

Politologu Ramush Tahiri thotë për “Radion Evropa e Lirë”, se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të arrijnë marrëveshje për qeverisje duke i harmonizuar programet partiake më shumë se sa të orientohen në atë se kush cilën ministri e drejton.

“Unë nuk konsideroj se vendet vetjake do të jenë ndonjë pengesë, sepse secili e ka një synim të caktuar dhe arrin diçka me atë synim edhe në këtë bazë mund të harmonizohen qëndrimet. Presidenti ka mandat edhe një vit e gjysmë dhe unë nuk mendoj që kjo qeveri vetëm pse i ka numrat ose pse synon t’i ketë numrat, do të bëjë ndonjë ‘puç institucional’ dhe do ta largojë presidentin duke fabrikuar arsyet. Ndërsa, sa i takon ministrit të Jashtëm, varet se si ndahen funksionet e tjera. Por, ministri i jashtëm për dallim deri tash duhet të jetë një personalitet me kredibiltet e me përvojë”, vlerëson Tahiri.

Synimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së është që të krijojnë një qeveri me 12 apo maksimumi 15 ministri.

Mbetet të shihet nëse partia që e merr pozitën e kryeministrit, Lëvizja

Vetëvendosje, do të marrë edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit apo këtë pozitë do t’ia lirojë LDK-së.

Për këto tema, bisedimet thuhet do të zhvendosen në nivelin e liderëve të dy partive, kurse tash për tash, sipas Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje, çështja e postit të presidentit nuk është kërkuar nga asnjëra palë për diskutim. Ajo thotë, po ashtu, se deri tash nuk ka pasur ndonjë pengesë për asgjë kur është fjala për arritjen e marrëveshjes.

“Nuk jemi lëshuar në pozicione siç është ai për presidentin apo në veçanti për ministrin e Punëve të Jashtme. Deri tani nuk ka kushtëzime, por çështja e presidentit nuk ka qenë as kërkesë formale zyrtare e LDK-së. Nuk po merremi me deklarata publike të zyrtarëve të LDK-së. Deri tani në asnjë takim nuk e kanë përmendur çështjen e presidenti. Megjithatë, është çështje që u takon kryetarëve të partive. Nëse do të ekzistonte kjo kërkesë e LDK-së për ta trajtuar edhe çështjen e presidenti, është përgjegjësi e kryetarëve që ta definojnë këtë”, thekson Haxhiu.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link:

https://www.evropaelire.org/a/30274374.html

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona u plagosën dhe janë në gjendje të rëndë…