![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/08/ademi-2.jpg)
Presidenti Ademi darkon me presidentin e FIFA-s, diskutojnë për projektet e FFK-së
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është takuar të premten me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë darkës zyrtare në Sydney.
Në takim, ata kanë diskutuar për futbollin dhe projektet e përbashkëta të FIFA-s, UEFA-s, MKRS-së dhe FFK-së.
Presidenti Ademi ka shprehur kënaqësinë për ritakimin me presidentin Infantino dhe e ka informuar atë për gjendjen e tanishme të FFK-së si dhe për projektet e realizuara.
“Gjithmonë të këndshme dhe të rëndësishme takimet, ndejat dhe darkat me presidentin Infantino. Gjatë darkës në Sydney diskutuam shumëçka për futbollin, për projektet, për investimin e përbashkët FIFA, UEFA, MKRS dhe FFK. E njoftova edhe me gjendjen e tanishme të FFK-së, me situatat që kaluam dhe që po kalojmë. Ai u interesua sidomos për raportet me institucionet shtetërore, teksa u interesua edhe për projektet ku investon FIFA. Presidenti Infantino tha se ai dhe FIFA janë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar FFK-në, sa herë që ka nevojë”, ka thënë Ademi.
Gjatë këtij takimi presidenti Ademi e ka falënderuar të parin e FIFA-s për ftesën në finalen e Kupës së Botës për femra, Spanjë – Angli dhe ka përgëzuar për organizimin e shkëlqyeshëm të këtij eventi. Në anën tjetër, Infantino e ka falënderuar kreun e FFK-së për praninë e tij në këtë event dhe vuri në pah rëndësinë e rritjes së futbollit të femrave në nivel global.