ë.
Presidenti Ademi priti Këshillin Organizativ të turneut madhështor ‘Kenan Halimi’
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka mirëpritur me kënaqësi në zyrën e tij Këshillin Organizativ të turneut tradicional në futboll të vogël “Kenan Halimi” nga fshati Gjylekar në Komunën e Vitisë.
Ky turne, i cili organizohet në nderim të dëshmorit të kombit, Kenan Halimi, është një ngjarje e rëndësishme në kalendarin e futbollit kosovar dhe një prej turneve më të mëdhenj në vend. Edicioni i 10-të i këtij turneu do të sjellë sërish valë emocionesh dhe pasion për futbollin nga ekipet pjesëmarrëse nga të gjitha trojet shqiptare.
Pamjet e mijëra shikuesve që mbushin fushën e futbollit ku zhvillohet ky turne tregojnë më së miri për nivelin e organizimit dhe pasionin e madh të banorëve të kësaj treve për futbollin. Në këtë kontekst, presidenti Ademi ka shprehur vlerësimin e tij për organizatorët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në suksesin e këtij turneu ndër vite. Presidenti Ademi theksoi se ky turne promovon trashëgiminë sportive dhe njëherësh kujtesën për dëshmorët e kombit.
Ai ka thënë se FFK-ja është e vendosur të vazhdojë të mbështes dhe të promovojë ngjarje të tilla, që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin dhe promovimin e futbollit në Kosovë.