Presidenti Ademi priti Uliks Polloshkën, i cili do ta përfaqësojë Kosovën në kualifikimet për “e-Euro 2024”
Presidenti Agim Ademi ka pritur sot talentin e lojërave elektronike, Uliks Polloshkën, i cili do ta përfaqësojë Kosovën në kualifikimet për Kampionatin Evropian në lojërat elektronike “e-Euro 2024”, që organizohet nga UEFA.
Uliksi fitoi turneun përzgjedhës të organizuar nga UEFA dhe FFK, me mbi 180 pjesëmarrës nga Kosova dhe kësisoj e fitoi të drejtën e përfaqësimit të Kosovës në kualifikimet për “e-Euro 2024”.
Kosova është e përfshirë në Grupin G, ku do të përballet me Belgjikën, Suedinë, Finlandën, Ukrainën, Irlandën Veriore, Uellsin dhe Ishujt Faroe.
Garat në formë online zhvillohen në periudhën prill-korrik, teksa kjo është një mundësi e mirë që Kosova të tregojë aftësitë e talenteve tona edhe në skenën ndërkombëtare të lojërave elektronike.
Presidenti Ademi ka shprehur bindjen e tij në talentin dhe potencialin e Uliks Polloshkës, i cili fitoi turneun përzgjedhës të përfaqësimit të vendit tonë, duke i uruar atij suksese dhe duke i ofruar mbështetjen e plotë në këtë rrugëtim.
Ai vuri në pah rëndësinë e përfaqësimit të mirë të vendit në këtë event prestigjioz dhe shfaqi besimin se Uliks Polloshka do të japë më të mirën për Kosovën.