Presidenti Ademi shtroi darkë për delegacionin zviceran, Blanc: Presidenti juaj ishte ylli i ditës në Zvicër
Presidenti Agim Ademi sipas traditës, në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2024, Kosovë – Zvicër, ka shtruar darkë për delegacionin e Federatës Zvicerane në krye me presidentin Dominique Blanc, ku të pranishëm ishin edhe ambasadori zviceran, Thomas Kolly dhe delegati i UEFA-s, Jan Willem.
Presidenti Ademi e falënderoi homologun e tij për mbështetjen që kjo federatë dhe shteti zviceran i ka dhënë Kosovës në të gjitha aspektet. Ademi ka thënë se lidhjet ndërmjet dy vendeve janë shumë të fuqishme falë edhe bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë dhe japin kontributin e tyre në Zvicër, por edhe që vazhdimisht kanë përkrahur zhvillimin e Kosovës.
E ndër ata që kanë kontribuuar për promovimin sa më të mirë të shtetit zviceran, ka theksuar presidenti Ademi, pa dyshim janë edhe futbollistët me origjinë nga Kosova.
Në anën tjetër, presidenti Blanc ka thënë se Kosova është shtet mik dhe shumë i veçantë pikërisht edhe për shkak të komunitetit shqiptar në Zvicër. Ai më pas gjatë shkëmbimit të dhuratave shpalosi njërën prej gazetave me tirazhin më të madh në Zvicër, ku ishte një intervistë e presidentit Ademi.
“Ylli i ditës sot në Zvicër ka qenë presidenti juaj, Agim Ademi”, tha Blanc, teksa bëri edhe një dhuratë të veçantë për kreun e FFK-së. Në fund të dy presidentët e uruan njëri – tjetrin për lojë sa më të mirë në ndeshjen e nesërme dhe spektakël futbolli.