Presidenti amerikan insiston në kërkesën për fonde rreth murit me Meksikën
Presidenti amerikan, Donald Trump nuk do të pajtohet me asnjë marrëveshje afatshkurtër për të rihapur Qeverinë amerikane, përveç nëse një e tillë përfshin “pagesë të madhe” për të realizuar premtimin e tij sa i përket murit me Meksikën.
Kjo deklaratë nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, ka ardhur teksa lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell dhe lideri i demokratëve në këtë trup, Chuck Schumer janë takuar me synimin e arritjes së një kompromisi.
Më 24 janar, Senati i Shteteve të Bashkuara ka refuzuar propozimet e demokratëve dhe atyre të republikanëve për t’i dhënë fund mbylljes së pjesshme të Qeverisë, e cila ka hyrë në ditën e 35-të dhe përbën mbylljen më të gjatë në histori.
Si pasojë e kësaj mbylljeje, 800,000 punëtorë federalë vazhdojnë të mos paguhen në ShBA.
Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, u ka bërë thirrje punëtorëve federalë që të kërkojnë kredi për kryer pagesat e detyrueshme.
Mirëpo kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka dënuar këto komente.
“A nënkupton kjo qasje ‘Telefononi babain tuaj për të holla? apo ‘Kjo situatë ndihmon në ndërtimin e karakterit?”, ka pyetur Pelosi në një konferencë për medie.