Presidenti amerikan ‘luftë’ me Gjermaninë për vaksinën kundër koronavirusit
Një firmë gjermane në Tübingen parashikon të nxjerrë në qershor apo korrik teste për vaksinën kundër koronavirusit.
Donald Trump do ta blejë atë vetëm për ShBA, ndërsa qeveria gjermane kundërshton.
Presidenti i ShBA, Donald Trump po i ofron shuma të mëdha parash shkencëtarëve gjermanë që po punojnë për një vaksinë kundër koronavirusit.
Ai dëshiron të ketë të drejta të drejta ekskluzive për punën e tyre, raporton gazeta gjermane “Welt am Sonntag”.
Një burim qeveritar gjerman i ka thënë gazetës se Trumpi po bën gjithçka që ka në dorë për ta siguruar vaksinën “vetëm për SHBA”.
Por një zëdhënës i ministrisë së Shëndetësisë në Gjermani, i ka thënë gazetës “Die Welt” se qeveria gjermane mendon ndryshe.
“Qeveria gjermane është shumë e interesuar që zhvillimi i vaksinave dhe trajtimeve kundër virusit të ri korona të bëhet në Gjermani dhe në Evropë”, ka thënë ai.
Edhe qeveria gjermane po i ofron firmës përparësi financiare.
Firma “CureVac”, e vendosur në jug të Gjermanisë po bën kërkime për disa vaksina të mundshme, dhe dy prototipe do të zgjidhen për test.
Bashkëthemeluesi i “CureVac” dhe shefi i sektorit të prodhimit Florian von der Mülbe, i ka thënë “Reutersit” se kompania shpreson ta ketë një vaksinë eksperimentale në qershor ose korrik. Pas kësaj do të merret aprovimi për ta testuar atë tek njerëzit.
Dy javë më parë, shefi i atëhershëm i bordit i “CureVac”, Daniel Menichella është takuar në Shtëpinë e Bardhë me Trumpin dhe me stafin e tij.
Nëntë ditë pas takimit, më 11 mars, firma “CureTec” e largoi Menichellan nga posti dhe e ka zëvendësuar me themeluesin e kompanisë Ingmar Hoerr. /DW/