Presidenti austriak s’ia jep mandatin partisë me më shumë vota për ta formuar qeverinë
FPÖ ka qenë padyshim partia më e fortë në zgjedhjet austriake. Megjithatë, në kundërshtim me traditën, presidenti Van der Bellen ka refuzuar t’i japë asaj së parës mandatin për të formuar një qeveri.
Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen, ka ndjekur një qasje të re për formimin e qeverisë së Austrisë. Këtë herë ai nuk do t’ia japë mandatin për të formuar qeverinë partisë me më shumë vota, siç ndodh zakonisht.
Në vend të kësaj, liderët e tre partive kryesore – FPÖ, ÖVP dhe SPÖ – duhet të sqarojnë mes tyre se çfarë lloj bashkëpunimi mund të përfytyrohet. “Këtë herë ka ndodhur një rast i pazakontë”, tha Van der Bellen. “Është krejtësisht e re që ka një fitues zgjedhjesh me të cilin me sa duket asnjë nga partitë e tjera nuk dëshiron të qeverisë.”
“Një situatë klasike ngërçi”
ÖVP ka përjashtuar çdo bashkëpunim me FPÖ-në nën drejtimin e Herbert Kickl, vazhdoi Van der Bellen. Sipas Van der Bellen-it, as SPÖ, NEOS liberale dhe të Gjelbërit nuk duan të qeverisin me FPÖ. Kickli, nga ana e tij, kishte siguruar se FPÖ do të ishte në qeveri vetëm me të si Kancelar Federal.
“Një ngërç klasik,” tha Van der Bellen. Gjatë bisedimeve duhet të jetë e qartë se çfarë lloj bashkëpunimi të ndërsjellë do të ishte i mundur në parim: “Unë dua qartësi”.
Në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar në fund të shtatorit, partia populiste e djathtë FPÖ doli për herë të parë partia më e fortë. Partia konservatore në pushtet ÖVP pësoi humbje të mëdha dhe doli vetëm në vendin e dytë, përpara SPÖ-së socialdemokrate.
Roli i presidentit austriak
Tradicionalisht, partia me më shumë vota ka marrë mandatin nga Presidenti Federal për të formuar një qeveri. Megjithatë, kjo nuk përcaktohet në Kushtetutë.
Presidenti austriak është i lirë në këtë drejtim. Derisa të formohet një qeveri e re, koalicioni aktual i ÖVP dhe të Gjelbërve do të qëndrojë në detyrë./DW/