Presidenti Bajram Begaj, dhëndër i Hysen Ymerit, komandantit të komandantëve të UÇK-së
Presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, është dhëndri i kolonelit të ndjerë shqiptar Hysen Ymerit, i cili ishte komandanti i komandantëve më të mirë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Sali Çekaj e shumë burra me peshë historike kombëtare ishin për një kohë nën urdhrat e vjehrrit të presidentit Begaj. Kjo ishte në vitin 1991, kur në Shqipëri po bëheshin gati për luftën e ardhshme çlirimtare në kampet stërvitore të Ushtrisë shqiptare.
Hysen Ymeri, tashmë vjehrri i ndjerë i presidentit Begaj, për së afërmi ka pasur rastin jo vetëm t’i shohë heronjtë e Kosovës, por edhe t’ua japë atyre përsosmërinë luftarake.
E bija e Ymerit quhet Armanda. Zonja e Parë e shtetit shqiptar, sipas medias tiranase, punon në Kontrollin e Lartë të Shtetit, si inxhiniere e teknologjisë. Çifti Begaj kanë edhe dy djem.
“Baca Cen”, siç e thërrisnin çlirimtarët kosovarë Hysen Ymerin, kishte vizituar pas luftës Kosovën dhe vendbetejat më të rëndësishme të UÇK-së.
Ka pak fotografi të vitit 1991, ku Hysen Ymeri ka me luftëtarët e ardhshëm të UÇK-së. Në mesin e tyre është një e shkrepur në Krujë, ku shihen ndër të tjerë Hysen Ymeri, Zahir Pajaziti dhe luftëtarë të tjerë të ardhshëm.
Komandanti Ymeri kishte lindur në Shkozet të Durrësit në vitin 1946. Përveç si ligjërues, kontributi i njihet edhe edukimin në inteligjencën ushtarake shqiptare.
Gjatë luftës së Kosovës 1998-1999, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ia besoi kolonel Hysen Ymerit detyrën e krijimit dhe komandimit e Forcave Speciale, të quajtura në atë kohë “Delta Force” në Shqipëri, sipas modelit dhe përvojës amerikane.
Pak para se të vdiste, Ymeri botoi edhe librin me kujtime të titulluar “Stërvitëm dhe Adem Jashari”.