Presidenti Begaj: Mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, por nuk kemi harruar kush është agresori

18 janar 2023 | 22:57

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka takuar të mërkurën trupin diplomatik, në pritjen tradicionale diplomatike të fillim vitit.

Gjatë fjalës së tij, ai ka shprehur shqetësimin për situatën dhe rrezikun në Evropë dhe Ballkan.

“Ritheksova qëndrimin se Shqipëria mbetet vendosmërisht në krah të ukrainasve, e aktivisht pjesë e bashkëpunëtore e aleancës euroatlantike. Duke folur në emër të qytetarëve të vendit, si president i Republikës, shpreha bindjen kombëtare në paqe, dialog, demokraci, shtetin e së drejtës e vlerat ballkanike dhe evropiane. Në këtë kuptim, shqiptarët do të mbeten faktor paqeje në Ballkan dhe promovues të imazhit të një Ballkani pasional, por jo konfliktual”, ka thënë Begaj.

Ai ka folur edhe për situatën në Kosovë.

“Theksova se Shqipëria do të jetë e ndjeshme, por e matur, në mbështetje të dialogut, por shumë e kujdesshme ndaj integritetit të shtetit kosovar. Ne mbështesim fort dialogun Serbi-Kosovë, por nuk kemi harruar kush është agresori dhe kë ka agresuar. Është e udhës për qeverinë që ka përgjegjësinë historike të kërkojë ndjesën e agresionit dhe të jetë e para në tryezën e dialogut”, ka theksuar Begaj.

Presidenti i Shqipërisë ka ftuar përfaqësuesit e trupit diplomatët që të jenë bashkudhëtarët e tyre në ndërtimin e një bote pa paragjykime, dhe ka uruar që në vitin 2023 politika e jashtme të jetë rezultat i një ndërgjegjeje rajonale dhe globale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i tha Forumit Botëror Ekonomik se…