Presidenti Biden dhe zonja e parë urojnë për festat pjesëtarët e ushtrisë amerikane në gjithë botën

26 dhjetor 2021 | 10:13

Presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, ka festuar Krishtlindjen e tij të parë në detyrë duke komunikuar me anëtarët e shërbimit ushtarak amerikan në baza në mbarë botën, për t’i uruar ata për festat dhe për t’u shprehur mirënjohje për shërbimin dhe sakrificën e tyre për vendin.

Në shoqërinë e bashkëshortes së tij Jill, presidenti foli të shtunën përmes videos me anëtarët të të gjitha degëve të ushtrisë amerikane të vendosur në bazat e Katarit, Rumanisë, Bahreinit dhe Shteteve të Bashkuara.

“Si komandanti juaj i përgjithshëm, doja të përfitoja nga ky rast për t’ju thënë faleminderit, faleminderit, faleminderit”, u tha ai pjesëtarëve të ushtrisë. “Ne ju jemi mirënjohës për guximin, sakrificën tuaj dhe të familjes suaj”.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden u tha atyre se ata janë “Shtylla e palëkundur e kombit”, dhe theksoi “detyrimin e shenjtë” që ka vendi për t’u kujdesur për ushtarët dhe familjet e tyre.

Jill Biden tha se i kuptonte vështirësitë që përjetojnë familjet e tyre duke i kaluar festat larg njerëzve të tyre të dashur, duke vënë në dukje se edhe ata vetë kishin përjetuar të njëjtën gjë kur djali i tyre Beau, i cili kishte shërbyer si major në Gardën Kombëtare të Ushtrisë së Delauerës, ishte stacionuar në Irak.

Familja presidenciale po kalon një Krishtlindje relativisht të qetë në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërsa pandemia e koronavirusit intensifikohet sërish, për shkak të variantit shumë ngjitës Omicron, presidenti dhe bashkëshortja e tij u përpoqën me daljet dhe deklaratat e tyre publike të ofronin një ndjenjë uniteti dhe normaliteti në një sezon që është i vështirë për shumë njerëz, raporton Voa.

Në një deklaratë për Krishtlindjen, ata ngritën lart “guximin, karakterin, qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë” e popullit amerikan përballë pandemisë dhe shprehën shpresën që vendi të gjente “dritën në errësirën” e një sezoni të vështirë.

“Gjatë këtij sezoni festash, ne frymëzohemi nga amerikanët e panumërt që janë një kujtesë se gjërat që i kemi të shenjta na bashkojnë dhe e kapërcejnë distancën, kohën dhe madje edhe kufizimet e një pandemie”, thanë ata në deklaratën e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Desmond Tutu vdiq më…