Presidenti Biden nënshkruan urdhrin për të promovuar konkurrencën në ekonominë amerikane
Presidenti amerikan, Joe Biden ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv gjithëpërfshirës për të promovuar më shumë konkurrencë në ekonominë vendase, duke u kërkuar agjencive shtetërore të godasin praktikat anti konkurruese në sektorë të ndryshëm, duke filluar nga bujqësia, farmaceutika, e deri te forca punëtore.
Nëse zbatohet plotësisht, vendimi do të ndihmojë në uljen e kostove të internetit për amerikanët, do të ofrojë rimbursime të tarifave për bagazhet që vonohen nga kompanitë ajrore dhe do të ulë çmimet e ilaçeve me recetë.
“Nuk do të ketë më tolerancë ndaj veprimeve abuzive të monopoleve. Nuk do të ketë më largime masive nga puna apo çmime më të larta. Mundësitë do të jenë më të mëdha për punëtorët dhe konsumatorët”, deklaroi Biden.
Shtëpia e Bardhë deklaroi se norma e krijimit të bizneseve të reja ka rënë me rreth 50 për qind që nga viti 1970, pasi bizneset e mëdha e bëjnë më të vështirë për amerikanët me ide të mira, për të hyrë në tregje.
Veprimi i Bidenit vjen ndërkohë që korporatat kanë krijuar monopole në industritë më të mëdha dhe përfshin 72 iniciativa që detyrojnë dhjetëra agjenci shtetërore që të veprojnë. Agjencitë antitrust do të përqendrohen në sektorin e punës, në kujdesin shëndetësor, në teknologji dhe bujqësi.
Pagat më të ulëta të shkaktuara nga mungesa e konkurrencës vlerësohet se i kushtojnë një familjeje amerikane rreth 5 mijë dollarë në vit, referuar një dokumenti të Shtëpisë së Bardhë, që citon kërkime të Projektit Amerikan të Lirive Ekonomike, një grup anti-monopol me shumë ndikim. /Telegrafi/