Presidenti Biden përmend Kosovën, ndërsa mbështet anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO
Një për të gjithë dhe të gjithë për një, tha presidenti amerikan Joe Biden duke pasur në krah presidentin e Finlandës dhe kryeministren e Suedisë, vendet e të cilëve një ditë më parë dorëzuan zyrtarisht aplikimet e tyre në NATO.
“Sot jam krenar të mirëpres dhe të ofroj mbështetjen e fortë të SHBA për aplikimet e dy demokracive të mëdha dhe dy partnerëve të ngushtë, shumë të aftë, për t’u bashkuar me aleancën më të fortë, më të fuqishme mbrojtëse në historinë e botës, pasi i plotësojnë të gjitha kushtet.
Sot, nuk ka dyshim se NATO është e rëndësishme, është efektive dhe është më e nevojshme se kurrë. Suedia dhe Finlanda janë tashmë ndër partnerët tanë më të afërt për një sërë çështjesh.
Trupat finlandeze dhe suedeze, kanë shërbyer krah për krah me forcat e SHBA-së dhe NATO-s në Kosovë, në Afganistan dhe në Irak. Dhe Finlanda dhe Suedia tashmë po punojnë në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë të tjerë për të mbështetur popullin e guximshëm të Ukrainës teksa mbrojnë lirinë e tyre kundër pushtimit rus”.
Presidenti Biden theksoi se anëtarësimi i anëtarëve të rinj në NATO nuk përbën asnjë lloj kërcënimi për askënd, ndërsa shtoi se administratat e tij do të paraqesë raporte në Kongresin e SHBA për të dy vendet, pasi vetëm brenda SHBA-së, të paktën dy të tretat e Senatit duhet të votojnë për të miratuar shtetet e reja anëtare në aleancën mbrojtëse. Shtetet e Bashkuara dhanë mbështetjen e saj të plotë të mërkurën për Suedinë dhe Finlandës duke premtuar se do të qëndrojnë pranë tyre nëse kërcënohen nga Rusia.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg thotë se ka besim se anëtarët e NATO-s do të marrin një vendim të shpejtë për të mirëpritur Finlandën dhe Suedinë në aleancë.
“Ne jemi në kontakt të ngushtë me Finlandën e Suedinë dhe Turqinë dhe gjithashtu me të gjithë aleatët. Sigurisht që po trajtojmë shqetësimet që ka shprehur Turqia sepse kur një aleat , një aleat i rëndësishëm pasi Turqia ngre shqetësime për sigurinë, atëherë sigurisht, mënyra e vetme për t’u marrë me këtë është të ulemi dhe të gjejmë mënyra për të gjetur një bazë të përbashkët dhe një marrëveshje se si të ecim përpara”.
Turqia ka kërcënuar se do të verë veton ndaj aplikimeve të tyre, duke i akuzuar dy vendet nordike se strehojnë militantë kurdë që ajo i konsideron si terroristë.