Presidenti dëshiron një kryeministër tjetër, një të dobët

24 prill 2020 | 11:13

Kreu i qeverisë në detyrë, Albin Kurti, sot në një konferencë për media mbajtur në oborrin e qeverisë, ka folur për propozimin e Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës për mandatar për kryeministër. Kurti ka thënë se Hoti ka qenë dekonstruktiv gjatë kohës sa ishin bashkë në qeverisje. Ai thotë se zgjedhja e tij është dëshirë e presidentit që të ketë një kryeministër i dobët.

“Për ish-zëvendësin tim mund të them se gjatë qeverisjes tonë ka qenë dekonstruktiv. E kishte një rrotë me zall që rrotave të qeverisë më të mirë t’ua hedh. Asnjë nga 10 njerëzit më të votuar më 6 tetor nuk është. Nuk bëhet fjalë për demokraci sot. Bëhet fjalë për dëshirën e presidentit që të ketë një kryeministër tjetër të dobët”, ka deklaruar ai.

Kurti tha se presidenti Hashim Thaçi ka dashur që të zgjidhjet një kryeministër që ia jep atij mundësinë që të jetë më shumë se president. “Meqenëse presidenti dëshiron të jetë më shumë president, e do një kryeministër të jetë më pak se kryeministër, që ia mban ison në intencën për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Me mua nuk e bën dot këtë, prandaj u zmbraps, shkoi në Uashington, u kthye pa marrëveshje, erdh në Këshill të Sigurisë, iku pa vendim”, tha ai.

Kurti e ka ftuar Thaçin që të garojë në zgjedhje për pozitën e kryeministrit.

“Tash dëshiron një kryeministër tjetër që nuk do të jetë kryeministër që ta plotësojë dëshirën e vet për të qenë më shumë se president, sepse është qartazi i pakënaqur me kompetencat. Nëse është ashtu, atëherë presidenti le të japë dorëheqje e të dalë në zgjedhje e të bëjmë pastaj disa debate. Kemi çka flasim. Le të garojë për t’u bërë kryeministër, e jo ta keqpërdorë ulësen e presidentit”, shtoi ai, derisa i ka krahasuar votat e Hotit në vitin 2017 dhe në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Ish-zëvendëskryeministri im në vitin 2017 kishte 4 herë e gjysmë më shumë vota se në vitin 2019, atëherë kur e nxori subjektin e vet të tretin. LDK-ja doli e treta e zëvendëskryeministri as qerekun e atyre votave s’e mori në tetor të vitit të kaluar. Kjo është e kundërta e demokracisë dhe unë besoj se duhet të marrin fund këto lojëra dhe në një situatë ku kolegia ime në fushatë, rivalja ime sot, kryetarja e Kuvendit, zonja e nderuar kishte gati shtatë fishin e votave, të ish-zëvendëskryeministrit tim, e tash përmes presidentit të përpiqet, kjo është e paimagjinueshme në një demokraci parlamentare në kontinentin evropian. Këta janë njerëz të rrezikshëm sepse moti e kanë braktisur popullin, e tashmë edhe populli i ka braktisur ata”, ka deklaruar kryeministri në detyrë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Bukë tradicionale me brumë”, me siguri e keni parë këtë…