Presidenti Erdogan: Netanyahu të gjykohet për krime lufte sikur Millosheviqi
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, duhet të gjykohet për krime lufte sikur “kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq, transmeton agjencia “Reuters”.
Gjatë fjalimit të tij në Stamboll në një takim të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Erdogan i është referuar Netanyahut si “kasapi i Gazës”.
“Netanyahu, kasapi i Gazës, nuk është vetëm një kriminel lufte, por ai definitivisht do të gjykohet si kasapi i Gazës, siç u gjykua Millosheviqi”, ka thënë Erdogan.
Ndaj Netanyahut duhet të ngrihet padi nga një gjykatë ndërkombëtar për të dalë në gjyq për krime të dyshuara lufte.
Milloseviqi u gjykua në Tribunalin e Hagës me akuzat për krime lufte në ish-Jugosllavi. Ai vdiq në qeli, para se gjykata të merrte vendim.
Erdogani po ashtu ka kritikuar sistemin e Kombeve të Bashkuara, duke akuzuar pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit për bllokimin e përpjekjeve për t’i dhënë fund dhunës.
“Nga njëra anë, janë 121 vende që thonë ‘ndaloni luftën’ dhe ‘nuk duhet të ketë më gjakderdhje’ e në anën tjetër, janë tri apo pesë vende që i japin ‘carte blanche’ sulmeve të Izraelit”, tha Erdogan.
Izraeli ka nisur ofensivën në Gazë më 7 tetor, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të militantëve të Hamasit brenda territorit izraelit. Në sulmet e militantëve të Hamasit u vranë 1200 persona dhe u morën peng rreth 240 persona. Ndërkohë në ofensivën e Izraelit në Gaza, thuhet se kanë humbur jetën afro 16 mijë persona.