Presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës: Lichtsteineri u solidarizua me Xhakën dhe Shaqirin
Vazhdon të jetë aktive në Zvicër tema për shqiponjën e bërë nga Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Dy futbollistët shqiptarë gjunjëzuan serbët duke i dhënë tri pikët e plota Zvicrës (2-1).
Xhaka dhe Shaqiri festuan me shqiponjë, ndërsa me ta u solidarizua edhe kapiteni i ekipit kombëtar të Zvicrës, Stephan Lichtsteiner. FIFA ka hapur procedurë disiplinore për Granitin e Xherdanin, por tani së fundmi edhe për kapitenin Stephan Lichtsteiner që bëri gjithashtu shqiponjën me duar. E për gjestin e kapitenit ka folur edhe numri një i futbollit zviceran, Peter Gillieron. Presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, ka thënë se kapiteni i tyre ka vepruar drejtë që u solidarizua me futbollistët shqiptarë.
“Lichtsteiner veproi shumë mirë. Ai dha një shenjë të rëndësishme edhe pse në mënyrë spontane. Kapiteni ynë veproi absolutisht drejt që u solidarizua me Xhakën dhe Shaqirin”, ka thënë Gillieron.