Presidenti flet për vizitën e tij në Bruksel, Paris dhe ShBA
Presidenti Hashim Thaçi është kthyer në Kosovë, pas një vizite që kishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), në Bruksel dhe Paris.
Thaçi në një konferencë për media, ka bërë me dije se gjatë këtyre vizitave ka parë një koordinim më të mirë dhe të qartë të BE-së sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, konkretisht marrëveshjes finale mes këtyre dy shteteve, raporton “Epoka e re”.
“Në takimin që kam zhvilluar me Lajçakun në Bruksel, po ashtu në Uashington me autoritetet e larta të ShBA-së në takime joformale, dhe gjithashtu në Paris, kam parë një koordinim më të mirë më të qartë të BE-së, pra, ky është një mesazh i qartë i mirë dhe inkurajues edhe në Kosovë që të jemi sa më të bashkuar që të finalizohet ky proces me njohje reciproke. Kjo do të mundësonte zhvillim më të mirë ekonomik dhe mirëqenie më të mirë për qytetarët”, është shprehur presidenti Thaçi.
Presidenti ka shtuar se e ardhmja e vetme e Kosovës është që të jetë pjesë e NATO-s, BE-së dhe OKB-së.
(M.Q / Epoka e re)