Presidenti i gatshëm të raportojë në Kuvend për fazën finale të dialogut
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se me takimin e fundit që ka pasur me homologun tij serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, më 24 qershor, ka filluar faza finale e dialogut me Serbinë.
Në një konferencë për medie, shefi i shtetit ka treguar për qëllimin e kësaj faze të dialogut.
“Në këtë fazë finale synojmë arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, ka thënë Thaçi.
Ai ka deklaruar se në takimin e fundit kanë diskutuar për modalitete dhe opsionet se çfarë është e mundur të arrihet në këtë proces.
“Ky ishte vetëm takimi i parë, fillestar. Në javët dhe muajt e ardhshëm do të diskutohet substanca e marrëveshjes përfundimtare. Tani për tani është folur vetëm për kornizën e marrëveshjes. Presim ftesën e përfaqësueses së lartë të BE-së, zonjës Mogherini për takimin e ardhshëm, që presim të ndodh shpejt”, është shprehur Thaçi.
Edhe kësaj radhe presidenti ka bërë me dije se qenësore për këtë proces është konsensusi nacional, për të cilin thotë se duhet të arrihet sa më shpejt.
“Ftoj përsëri ekspertët, akademikët, shoqërinë civile dhe mediet të bëhen pjesë e këtij diskutimit”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se në këtë proces të dialogut do të ketë transparencë të lartë.
Presidenti Thaçi ka thënë se kjo fazë e dialogut nuk do të jetë e lehtë, duke shtuar se beteja e vërtet me Serbinë në këtë fazë do të zhvillohet në tavolinat e Brukselit dhe jo nëpër studiot televizive.
Ai është shprehur i gatshëm për ta raportuar në Kuvendin e Kosovës për fazën përfundimtare të dialogut. “Në fund të fundit marrëveshja duhet të dërgohet në Kuvend për ta marrë miratimin nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, në këtë fazë do të elaburohen vetëm temat që pajtohen të dy palët dhe nuk do të lejohen të kushtëzohet procesi me ndonjë çështje.
/Epoka e re/