Presidenti gjerman bisedon me hebrenj dhe myslimanë
Presidenti Frank-Walter Steinmeier ka diskutuar me hebrenj dhe myslimanë në Gjermani mbi pasojat e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Mysafirët e tij kanë treguar për një hendek të thellë në shoqërinë gjermane.
Presidenti Frank-Walter Steinmeier, ka ftuar për një diskutim të hapur në presidencë, por fillimisht ai ka mbajtur një fjalim: “Ne nuk do ta tolerojmë antisemitizmin në këtë vend”, ky ishte mesazhi i parë i fjalës së tij.
Steinmeieri ka siguruar hebrenjtë se “ky vend nuk do të bjerë në qetësi për aq kohë sa do t’i duhet të druhet për sigurinë tuaj dhe të fëmijëve tuaj”.
Mesazhi i dytë, presidenti gjerman i është adresuar “komunitetit palestinez” në vend: “Nuk duhet të ketë racizëm anti-mysliman dhe as dyshim kolektiv ndaj myslimanëve.” Këtë mesazh presidenti e lidhi me një apel: “Mos lejoni të instrumentalizoheni nga ndihmësit e ndihmesave të Hamasit. Flisni për veten tuaj. Refuzoni terrorin”.
Rritje alarmuese e dhunës me motive antisemitiste
Gjermania në vjeshtën 2023 është duke përjetuar një debat të nxehtë lidhur me luftën në Lindjen e Mesme. Që pas sulmit të organizatës islamiste palestineze Hamas më 7 tetor ndaj Izraelit, ekspertët kanë njoftuar për rritje alarmuese të dhunës me motiv antisemitizmin. Ka pasur demonstrata të flakta pro-palestineze të shoqëruara me prani masive të policisë. Ndërkohë hebrenjtë nuk guxojnë të dalin nga shtëpia dhe kanë frikë për sigurinë e fëmijëve të tyre. Njëkohësisht shoqatat e myslimanëve ankohen për dyshim kolektiv dhe rritjen e kufizimeve ndaj tyre.
Presidenti dëshiron të japë një sinjal. “Lufta në Lindjen e Mesme: Për një bashkëjetesë paqësore në Gjermani”, nën këtë titull ai ka ftuar (08.11.2023) në rezidencën presidenciale në Schloss Bellevue në një tryezë të përbashkët mysafirë hebrenj dhe myslimanë. Ata të gjithë prezantojnë projekte për bashkëpunimin hebreo-mysliman.
Ajo çfarë i kanë treguar presidentit të ftuarit e tij ishte shqetësuese. Ata vërejnë një hendek të thellë, që po përshkon shoqërinë. Ky hendek nuk është diçka e re, por ai po thellohet gjithnjë e më shumë pas 7 tetorit. Emocionet janë duke “vluar” në secilin komunitet.
Michael Furst është kryetar i komunitetit hebre në landin e Saksonisë së Ulët. Prej vitesh ai angazhohet për dialogun mes hebrenjve dhe palestinezëve. Tani, ai i ka treguar presidentit Steinmeier se “shumë anëtarë të komunitetit më thonë, se e përjetojnë si një show projektin”. Ajo që ka ndodhur në Izrael me sulmin e Hamasit, të klasifikuar si organizatë terroriste nga shumë shtete, është për ta si një “çarje e digës – vrasja më e madhe ndaj hebrenjve që nga Holokasuti”.
Shumë hebrej po tërhiqen duke qendruar vetëm brenda komunitetit të tyre. Dialogu është i rëndësishëm, por është bërë ndërkohë shumë i vështirë.
Dyshim kolektiv kundër myslimanëve dhe emigrantëve
Përvoja të ngjashme ka edhe Derviş Hızarcı. Berlinezi, djalë emigrantësh nga Turqia, drejton projektin e Berlinit “Nisma e Kreuzbergut kundër antisemitizmit”. Kjo nismë lufton kundër urrejtjes dhe paragjykimeve në bashkësinë e emigrantëve myslimanë. “Ne kemi marrë javët e fundit rreth 500 kërkesa nga mësuese dhe mësues, se si duhet të veprojnë ata me fëmijët në shkollat e tyre”, i ka treguar ai presidentit Steinmeier. Atmosfera në shumë shkolla është e acaruar. Fëmijët e emigrantëve myslimanë ndihen të përballur me dyshimin kolektiv prej shumicës së shoqërisë gjermane. Ndërsa shkollat janë të mbingarkuara, se si duhet ta trajtojnë temën e antisemitizmit. “Nëse i stigmatizojmë këta fëmijë dhe të rinj, nëse nuk ia dalim që t’i integrojmë ata, atëherë ata nuk do duan t’ia dinë më për Gjermaninë”, tërhoqi vëmendjen presidenti.
Steinmeieri ka qëndruar i tërhequr në dialog. Ai është fokusuar tek pyetjet që u janë drejtuar të ftuarve, Ai e ka pyetur 102-vjeçaren Margot Friedländer, e mbijetuar e Holokaustit, se çfarë do t’u thoshte vajzave dhe djemve hebrenj, që kanë dyshim, nëse mund të jetojnë më në Gjermani. Pjesëmarrësit e tjerë ai i ka pyetur nëse kanë pasoja projektet e tyre nisur nga gjendja aktuale. Ai herë pas here tërheq vëmendjen duke i inkurajuar e vlerësuar nismat e tyre për guximin dhe punën që ata bëjnë. Presidenti u ka siguruar të dyja palëve, se janë pjesë e këtij vendi. “Gjermania është sot një vend kozmopolit dhe i hapur.” Ai përpiqet, t’i inkurajojë e t’i mbështesë moralisht ata. Të ftuarit e tij e vlerësojnë këtë. Por njëkohësisht duket se realiteti është deprimues.
Një ditë përpara takimit në presidencë disa shoqata dhe studiues kanë skicuar një imazh të zymtë sa u përket incidenteve me motiv antisemitizmin në Gjermani./DW