Presidenti gjerman i shqetësuar për ‘armiqësinë’ ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka shprehur shqetësimin e tij për rritje të “armiqësisë” në mes të Rusisë dhe Perëndimit.
Ai ka bërë thirrje për shtim të përpjekjeve diplomatike për të përmirësuar marrëdhëniet e dëmtuara.
Steinmeieri ka thënë në një intervistë më 15 prill se helmimi i ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia në Britani muajin e kaluar ka qenë “incident shumë serioz”.
Mirëpo ai ka theksuar se “me po aq shqetësim duhet të shikojmë drejt marrëdhënieve të tensionuara mes Rusisë dhe Perëndimit, situatë e cila mund të ketë pasoja përtej këtij rasti”.
Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia janë dërguar në spital prej 4 marsit, pasi i janë ekspozuar një substance, e cila i ka lënë pa ndjenja të Sallsbëri.
Britania fajëson Rusinë për tentim-vrasje të Skripalëve, akuzë të cilën Moska e kundërshton ashpër.
Ky sulm ka tensionuar marrëdhëniet në mes të Perëndimit dhe Rusisë duke shtyrë në dëbime diplomatike reciproke dhe masa tjera.
Steinmeieri është cituar të ketë thënë se derisa është në rregull që Rusia të përballet me pasoja për veprat e saj, siç edhe është demonstruar me vënien e sanksioneve për agresionin e saj në Ukrainë, “ne nuk mundemi të braktisim dialogun direkt”.
Sipas tij nuk mund të demonizohet e tërë Rusia vetëm për shkak të presidentit të këtij vendi, Vladimir Putin.
Sa i përket Sirisë, Steinmeieri ka thënë se nuk do të ketë përmirësim derisa presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin të mos angazhohen për gjetjen e një zgjidhje.
“Natyrisht nuk mund të arrihet asgjë pa fqinjët rajonalë, mirëpo gjithçka fillon me ShBA-në dhe Rusinë. Putini dhe Trumpi i detyrohen botës për ta bërë hapin e parë”, është cituar të ketë thënë ai.