Presidenti gjerman thotë se më e keqja e pandemisë ka kaluar
Pandemia ka vendosur hije në zezë në festimet për Krishtlindje në Gjermani, mirëpo pas të jetuarit me koronavirus për gati një vit, kemi “çdo arsye për të besuar” se jeta do të bëhet më e mirë shumë shpejt, ka thënë presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
“Ne ende kemi një rrugë të gjatë e të mundimshme përpara nesh”, ka thënë Steinmeieri në fjalimin për Ditën e Krishtlindjes.
“Mirëpo ne shohim që drita e shumëpritur në fund të tunelit po rritet. Ne po i afrohemi fundit të krizës, hap pas hapi”, ka thënë ai, duke përmendur nisjen e fushatës së vaksinimit të dielën në Gjermani.
Gjermanët kanë shënuar shumë tradita këtë vit nën masa të izolimit, duke nisur nga anulimi i tregjeve për Krishtlindje e deri të kufizimi i numrit për organizime me miqtë dhe familjen.
Steinmeieri, që është në krye të presidencës gjermane nga marsi i vitit 2017, e ka përshkruar krizën me koronavirus me pasoja shoqërore dhe personale.
“Një virus i vogël ka mbajtur peng jetët tona dhe të menduarit, ka prishur planet dhe na ka shkatërruar ëndrrat”, ka thënë 64-vjeçari, duke shtuar se “pandemia na ka kujtuar sa të brishtë jemi ne njerëzit, dhe sa delikate është ajo që e quajmë ‘jetë normale’”.
Ai ka shfrytëzuar mundësinë për të përmendur një pakicë gjermane që ka mbajtur protesta kundër kufizimeve për koronavirus dhe ka shpërndarë teori të pabazuara për origjinën e tij.
Ai ka thënë se njerëzit që kanë mohuar rrezikun e virusit shpesh kanë fituar vëmendje “mirëpo të vetëdijshmit janë shumicë”.
Dhe sipas tij, kjo gjë përbën lajm të mirë këtë vit.