Presidenti, gjyqtarëve të Kushtetueses: Qëndroni të palëkundur në punën tuaj
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në shënimin e vitit 9-të gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Presidenti Thaçi ka thënë se Gjykata Kushtetuese është ndër institucionet më të rëndësishme, por edhe më të suksesshme në Kosovë.
“Pavarësia, integriteti, profesionalizmi, vizioni që ka treguar Gjykata Kushtetuese, që nga themelimi i saj, janë shembull për të gjithë. Këto virtyte janë model për institucionet e tjera sesi duhet të punohet dhe si duhet të mbrohet shteti. Gjykata Kushtetuese duhet të vazhdojë të luajë rol në mbrojtjen e Kushtetutës dhe në interpretimin përfundimtar të saj. Duke mbrojtur rendin kushtetues, ju mbroni shtetin e Kosovës, ju ruani themelet e shtetit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Sundimi i ligjit në përgjithësi, sipas presidentit Thaçi, është një prej parimeve bazë mbi të cilat kemi ndërtuar shtetin dhe shoqërinë kosovare.
“Barazia para ligjit, mbrojtja e dinjitetit të qytetarëve, kompensimi dhe rehabilitimi i viktimave, janë parime të shoqërisë sonë. Gjykata Kushtetuese, me punën e saj, siguron që çdo qytetari të Kosovës t’i garantohen këto të drejta”, ka shtuar ai.
Duke iu drejtuar gjyqtarëve të Kushtetueses, presidenti Thaçi ka thënë se falë profesionalizmit të tyre, Gjykata Kushtetuese tani funksionon krejtësisht me gjykatës vendorë.
“Kjo është meritë e punës profesionale, e përkushtimit tuaj për të mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën. Secila nga këto të arritura është një hap tjetër i madh drejt konsolidimit të plotë të shtetit të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka kërkuar prej gjyqtarëve të Kushtetueses që të qëndrojnë të palëkundur si deri më tani në punën e tyre.
/Epoka e re/