Presidenti: Heroi Abaz Thaçi me tërë dijen ushtarake i shërbejë UÇK-së
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë të enjten në akademinë përkujtimore për heroin Abaz Thaçi.
Thaçi ka thënë se Abaz Thaçi vjen nga një familje patriotike, nga një rreth me origjinë të Hasan Prishtinës, Azem e Shotë Galicës, Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës.
“Vjen nga një rreth, ambient i edukimit patriotik të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe gjithë atyre njerëzve që dhanë gjithçka me dije dhe pushkë për bërjen e Shqipërisë shtet dhe vazhdimin e luftës për çlirimin e Kosovës. Familja e Abazit është një familje atdhetare që kultivoi gjithmonë edukimin e luftës për liri e pavarësi dhe për shkak të angazhimeve kombëtare e patriotike për liri, pavarësi të Kosovës, për luftën për çlirim ishte ndëshkuar dhe torturuar shpeshherë nga policia serbe. Edhe babai, edhe familjarët e tjerë të Abazit ishin të përndjekur, të arrestuar e të maltretuar. Por, në asnjë rrethanë, në asnjë rast, nuk u ndalën së angazhuari për liri, për pavarësi dhe çlirim”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi ka theksuar se etja e Abazit për dituri ishte e madhe.
“U përcaktua për një shkollim profesional për ushtarak dhe shumë shpejt arriti që të zotëroj dijen jo vetëm teorike, por edhe praktike të një ushtaraku aktiv, dinamik dhe të shquhet edhe në mesin e të gjithë njerëzve që ishin atje, që ishin apo shërbenin edhe në Kroaci, edhe në Slloveni, për çka besoj do të flasin edhe bashkëluftëtarët e tij që kanë qenë edhe në shkollë bashkë, por edhe pastaj në angazhime tjera luftarake”, ka thënë Thaçi.
Kur shpërthyen luftërat në ish-Jugosllavi, presidenti Thaçi ka theksuar se Abazi bashkë me shokët e tij ndihmuan dhe këshilluan ushtarët shqiptarë që të largoheshin nga luftërat e tjera për të cilat nuk kishin asnjë arsye të qëndrojnë.
“Pas demobilizimit nga ushtria kroate, Abazi ishte vendosur në Gjermani, por kudo që ishte ai, larg Drenicës, në trevat e ish-Jugosllavisë apo edhe në perëndim, përsëri malli për atdheun, për Drenicën e tij të dashur, për Kosovën bëri që ta braktiste perëndimin, jetën e tij të mirë dhe t’i bashkohej asaj për të cilën ishte lindur, edukuar nga familja dhe përgatitur profesionalisht, pra t’i bashkëngjitej luftës për çlirimin e Kosovës. Ai tërë atë dije që e kishte marrë e vuri në shërbim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të luftës për liri dhe pavarësi dhe ishte shëmbëlltyra e unifikimit dhe bashkimit të të gjithë njerëzve për të luftuar kundër ushtrisë dhe policisë serbe”, ka theksuar ai.
Në brigadën 138 “Agim Ramadani”, kreu i shtetit ka thënë se Abaz Thaçi ishte figurë kyçe me të cilën lidhen shumë aksione dhe suksese.
“Edhe thyerja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë lidhet drejtpërdrejtë me jetën dhe veprën e Abazit dhe bashkëluftëtarëve të tij”, ka thënë ai.
Heroi Abaz Thaçi ishte vrarë më 16 maj në fushëbetejë përballë ushtrisë dhe policisë serbe.
/Epoka e re/