Presidenti i Bankës Botërore jep dorëheqje
Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass do të japë dorëheqjen si kreu i institucionit financiar ndërkombëtar në Uashington më 30 qershor, u tha nga zyra për informim e BB-së në një deklaratë për shtyp, pa specifikuar arsyen e largimit të tij.
Nuk është e qartë pse Malpas, i cili u emërua në këtë post nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, do të largohet para përfundimit të mandatit të tij pesëvjeçar.
66-vjeçari Malpas, presidenti i 13-të i Bankës Botërore, informoi sot bordin e drejtorëve për qëllimin e tij për t’u larguar nga posti i tij, të cilin e mban prej më shumë se katër vjetësh, thuhet në njoftimin për shtyp.
“Banka Botërore është e qëndrueshme financiarisht dhe e pozicionuar mirë për të rritur ndikimin e saj në zhvillim përballë krizave urgjente globale”, tha Malpas në një deklaratë.
“Ndërsa përballem me sfida të reja, do të doja të falënderoja të gjithë stafin dhe bordet tona”, tha amerikani në një memo dërguar ekipeve të Bankës Botërore e konfirmuar nga AFP.
David Malpas, në katër vitet e tij në detyrë, “u fokusua në gjetjen e politikave më të forta për të rritur rritjen ekonomike, uljen e varfërisë, përmirësimin e standardeve të jetesës dhe uljen e barrës së borxhit publik”, theksoi Banka Botërore në buletinin Press.
Është zakon që Banka Botërore të drejtohet nga një amerikan dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nga një evropian.