Presidenti i BERZH-it viziton Kosovën
Presidenti i BERZH-it, Sir Suma Chakrabarti, do ta vizitojë Kosovën nesër (më 18 prill) gjatë një turneu në rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgatitje për takimin vjetor të Bankës për vitin 2019 që do të mbahet në Sarajevë në muajin maj.
Kjo është vizita e parë e presidentit që nga viti 2016.
Gjatë qëndrimit të tij njëditor, presidenti Chakrabarti do të takohet me zyrtarë qeveritarë, duke përfshirë kryeministrin Ramush Haradinaj, ministrin e Financave Bedri Hamza dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.
Në takimet e tij, kreu i BERZH-it do ta ritheksojë zotimin e Bankës ndaj shtetit dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ai gjithashtu do ta riafirmojë qëndrimin e Bankës si një partner strategjik i Kosovës dhe investitor kryesor institucional me mbi 363 milionë euro të investuara deri më sot në 63 projekte.
Fokusi i Bankës në Kosovë është në përkrahjen e zhvillimit konkurrues të sektorit privat, përmirësimin e sigurimit të energjisë, qëndrueshmërinë dhe konektivitetin mbështetës si dhe në integrimin rajonal.
/Epoka e re/