Presidenti i Brazilit, thirrje vendeve të pasura: Nëna natyrë ka nevojë për para
Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, u ka bërë thirrje kombeve të pasura të mërkurën për t’i mbajtur zotimet e tyre të papërmbushura për financimin e luftës së vendeve në zhvillim kundër ndryshimit klimatik, gjatë një samiti për shpëtimin e pyjeve tropikale të botës.
Duke e mbyllur një takim dyditor të vëzhguar nga afër, tetë vendet e Amerikës Jugore të cilat e ndajnë Lumin e Amazonës, u bashkuan me kombet e tjera nga Karaibet, Afrika dhe Azia, për t’i bërë thirrje botës së industrializuar të bëjë më shumë për t’i mbrojtur pyjet tropikale të botës që janë duke u zhdukur.
“Nuk është puna se Brazili ka nevojë për të holla. Nuk është puna se Kolumbia, apo Venezuela kanë nevojë për para. Nëna natyrë ka nevojë për para, ka nevojë për financim, sepse zhvillimi industrial e ka shkatërruar atë gjatë 200 vjetëve të fundit”, tha Lula në konferencë për media më 9 gusht.
Samiti përfundoi me një qortim të ashpër ndaj vendeve të pasura nga pjesëmarrësit – vendet e Amazonës: Bolivia, Brazili, Kolumbia, Ekuadorit, Guajana, Peruja, Surinami dhe Venezuela, plus nga të ftuarit: Republika Demokratike e Kongos, Indonezia dhe Shën Vincenti dhe Grenadinet.
“Ne e shprehim shqetësimin tonë për dështimin e vendeve të zhvilluara për t’i përmbushur zotimet e tyre”, përfshirë një ndihmë vjetore e barabartë me 0.7 për qind e GDP-së dhe 100 miliardë në vit për financimin e klimës për vendet në zhvillim, thanë këto shtete në një komunikatë të përbashkët për media.
Lula u zotua se vendet do të shkojnë në Kombet e Bashkuara për bisedime për klimën në dhjetor dhe “se do t’i thotë botës së pasur se, nëse ata vërtet duan ta shpëtojnë atë që ka mbetur nga pyjet tona, ata duhet t’i qesin paratë”.
“Planeti po shkrihet”
Por, Lula dhe liderët e tjerë në samit u përballën me kritika edhe vetë, për shkak se kanë dështuar ta përmbushin një zotim për ta ndaluar shpyllëzimin e jashtëligjshëm në Amazonë deri në vitin 2030, dhe për t’i ndalur eksplorimet e reja për naftë, siç kishin kërkuar aktivistët e klimës.
Megjithëse Brazili kishte premtuar publikimin e një udhëzuesi ambicioz për ta shpëtuar Amazonën në samit, njoftimet e vendeve jugamerikane “nuk përmbajtën mesazhe të qarta për urgjencën ndaj krizës”, tha Leandro Ramos nga grupi mjedisor brazilian, Greenpeace.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar se shkatërrimi i Amazonës po shkon drejt pikës kritike, pas të cilës drunjtë do të shkatërroheshin dhe do të lironin karbon, në vend se ta thithin atë, duke shkaktuar pasoja katastrofike për klimën./ REL