Presidenti i Federatës për Paqe Universale premton mbështetje për qeverinë Kurti
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë së kësaj lëvizje, Hydajet Hyseni, anëtaren e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, Tropikë Agaj dhe Ismail Kurteshin, kanë pritur në takim presidentin e Federatës për Paqe Universale, dr. Katsumi Otsuka, i cili ishte i shoqëruar nga Gani Roshi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Në këtë takim, Otsuka e ka uruar Kurtin për rezultatin zgjedhor dhe ka shprehur dëshirën e tij që bisedimet rreth formimit të qeverisë së re të përfundojnë sa më parë, në mënyrë që edhe ndryshimi të ndodhë sa më shpejtë.
Ai ka thënë se organizata e tij me kënaqësi do ta mbështes kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij, si në aspektin e politikës së jashtme me mundësi për të siguruar njohje të reja, po ashtu edhe në zhvillimin ekonomik përmes kontakteve me investitorët e huaj.
Ndërsa kandidati për kryeministër dhe lideri i Vetëvendosjes, Kurti e ka falënderuar Otsuka për urimin dhe mbështetjen.
Ai e ka njoftuar atë se prioritet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional si dhe zbutja e pabarazisë e varfërisë në shoqëri përmes politikave sociale.
Në këtë takim, Kurti ka folur edhe për marrëdhëniet e shteteve në Ballkan dhe rëndësinë e integrimeve evropiane dhe të sigurisë euroatlantike.
/Epoka e re/