Presidenti i FFK-së takoi krerët e LRF-ve dhe të shoqatave
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka takuar sot në takime të veçanta kryetarët e shtatë Lidhjeve Rajonale të Futbollit, si dhe drejtuesit e shoqatave të trajnerëve, të gjyqtarëve, të futbollit të femrave dhe të futsallit.
Në këto takime, presidenti Ademi përgëzoi drejtuesit e LRF-ve për finalizimin e procesit zgjedhor në mënyrë të rregullt dhe demokratik, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në zhvillimin e mëtejmë të futbollit kosovar.
Ai u bëri thirrje atyre për angazhim maksimal në procesin e reformave të mëtutjeshme, në digjitalizimin e administratës dhe në përmirësimin e infrastrukturës sportive në çdo cep të vendit.
Gjatë këtyre takimeve u trajtuan tema të ndryshme që lidhen me organizimin dhe funksionimin sa më të mirë të futbollit në të gjitha nivelet.
Presidenti Ademi ritheksoi mbështetjen e FFK-së për të gjitha shoqatat dhe Lidhjet Rajonale, teksa vuri në pah rëndësinë e punës së përbashkët në ngritjen e cilësisë së garave dhe progresit të mëtejmë të futbollit në vendin tonë.