Presidenti i FFK-së takon Florim Zukën pas largimit nga SC Gjilani
President i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është takuar të martën me Florim Zukën, me të cilin ka diskutuar rreth largimit të tij nga SC Gjilani.
“Sot në vilën e tij në Buna të Ulqinit e takova Florim Zukën (Talin), ku biseduam rreth largimit të tij nga SC Gjilani. Ai e shpjegoj arsyen e largimit nga posti i kryetarit të klubit dhe planet e mëtutjeshme. Shpreha keqardhjen time që nga futbolli kosovar u largua një investitor i madh, i cili do t’i mungojë shumë qytetit dhe FC Gjilanit”, ka shkruar Ademi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se Tali për 5 vjet e gjysmë e udhëhoqi me sukses SC Gjilanin dhe investoi shumë i vetëm, prandaj mungesa e tij do të jetë e madhe te klubi dhe tek tifozët “Skifterat”.
“Talin e falënderoj për atë që i dha klubit dhe futbollit kosovar gjatë kësaj periudhe dhe i uroj suksese të vazhdueshme në bizneset e tij, me shpresë që edhe në të ardhmen do të jetë anëtar i familjes së madhe të futbollit”.
“Ndërkaq, SC Gjilanit i uroj riorganizim sa më të shpejtë dhe rrugëtim të sukseseshëm edhe në të ardhmen”, ka shkruar presidenti i FFK-së.