
Presidenti i FFK-së takon Westerlundin, Kosova do të takohet në shtator në Prishtinë me Kombëtaren e Suedisë
25 shkurt 2025
| 13:12
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë, mikun e futbollit, Jonas Westerlund, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Presidenti Ademi ka shkruar në “Facebook” se Kosova në muajin shtator do të takohet në Prishtinë me Kombëtaren e Suedisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, andaj, sipas tij, FFK dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë do të bashkëkoordinojnë aktivitetet për ta shndërruar këtë ditë në një festë të madhe futbolli në Prishtinë.
“Ambasadori Westerlund është një fans i madh i Kombëtares së Kosovës dhe kjo përballje është e veçantë për të, pasi do të përballet me Kombëtaren e tij të preferuar”, ka shkruar presidenti i FFK-së.