Presidenti i FFK-së viziton Deçanin, pritet nga kryetari Ramosaj, flasin për investime në sport

04 janar 2025 | 14:52

Pas pjesëmarrjes në turneun përkujtimor “Dëshmorët e Jabllanicës” në Gjakovë, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, së bashku me nënkryetarin Bakir Burri dhe anëtarin e KE-së, Ismajl Ajeti, vizituan Deçanin, ku u pritën nga kryetari i komunës, Bashkim Ramosaj, nënkryetari Sali Cacaj dhe përfaqësuesit e komunitetit të futbollit të kësaj treve.

Ademi ka bërë me dije përmes një postimi në “Facebook” se gjatë këtij takimi u dakorduan për fillimin e procedurave për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet FFK-së dhe Komunës së Deçanit.

“Ky memorandum do të përfshijë ndërtimin e një fushe futbolli në kompleksin sportiv, në zemër të natyrës së mrekullueshme mes maleve të Gjeravicës dhe Shkelzenit. Kjo fushë do të shërbejë për klubet dhe shkollat e futbollit të kësaj komune, ndërsa kompleksi sportiv, me vilat dhe hapësirat e tij, tash e tutje do të jetë nikoqir i seminareve dhe punëtorive të ndryshme të FFK-së”, ka njoftuar presidenti i FFK-së.

Presidenti Ademi ka thënë se gjithashtu diskutuan edhe për riaktivizimin e kampingut të njohur “Pishat e Deçanit”, ku dikur pushonin nxënësit e shkollave, por edhe sportistët elitarë të kohës.

“Synimi ynë është ta rikthejmë këtë zonë në një pikë të rëndësishme për zhvillimin e sportit dhe aktiviteteve përgatitore. FFK-ja do të nisë menjëherë procedurat për këto projekte të rëndësishme, me punimet që do të fillojnë sapo një gjë të tillë ta lejojnë kushtet atmosferike. Me këtë angazhim, ne vazhdojmë të kontribuojmë në zhvillimin e infrastrukturës sportive në çdo cep të Kosovës dhe në krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e talenteve. Jam krenar që si FFK po kontribuojmë në riaktivizimin e pjesëve më të bukura të Kosovës, e të cilat për shumë vite kishin mbetur të pashfrytëzuara”, ka shkruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Basri Beka Sot, pas 26 vitesh, ndjehem krenar që si…