Presidenti i FFK-së vjen me një mesazh pas barazimit të Kombëtares së Kosovës

19 nëntor 2023 | 17:02

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shkruar në “Facebook” për ndeshjen e Kombëtares së Kosovë me Zvicrën, e cila u luajt mbrëmë në Bazel në kuadër të kualifikimit për Kampionatin Evropian.

Ademi ka thënë se stadiumi “St. Jakob-Park” në Bazel mbrëmë ishte epiqendër e bashkatdhetarëve tanë, të cilët erdhën në përkrahje të Kombëtares së Kosovës jo vetëm nga qytetet anembanë Zvicrës, por edhe nga të gjitha shtetet evropiane, e madje edhe përtej Atlantikut.

“Dua të falënderoj gjithsecilin prej tyre, të cilët me zemër dhe entuziazëm erdhën të përkrahnin djemtë e Kombëtares sonë. Ata u bënë pjesë e një ndeshje, e cila pa dyshim do të mbetet në kujtesën e tyre, duke treguar solidaritetin dhe dashurinë e padiskutueshme për vendin e tyre”.

“Me praninë dhe brohoritjet e tyre, ata, krijuan një atmosferë impozante në stadium, që rrallëherë shihet në stadiumet e futbollit dhe njëherësh u shndërruan në forcë energjie për ekipin tonë, i cili përkundër mungesave të shumta dhe me lojtarë të rinj arriti të na bëjë krenar me paraqitjen e tij”.

“Falënderoj çdo shqiptar që ishte në stadium dhe që barti me krenari simbolet tona shtetërore e kombëtare, duke përjetuar bashkë me ne emocionet, shpresat dhe ndjenjat që jep loja e futbollit. Bashkatdhetarët tanë janë vlerë e madhe e jona. Ata janë aset shtetëror e kombëtar. Prania e tyre, dashuria dhe përkushtimi për atdheun janë pasuria më e çmuar që kemi”, ka shkruar Ademi.

Ai ka theksuar se “E di që nuk mund t’i falënderojmë mjaftueshëm për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, por dua të përçoj mirënjohjen e thellë për krijimin e një atmosfere aq frymëzuese dhe të ngrohtë për lojtarët tanë në Bazel”.

Ai gjithashtu ka shprehur një falënderim edhe për tifo-grupin ‘Dardanët’ që në numër të konsiderueshëm kishin udhëtuar në Bazel dhe si zakonisht treguan vlera të larta qytetare e sportive, teksa me pasionin dhe zërin e tyre mbështeten djemtë në fushë në çdo moment të lojës.

“Gjithashtu, një falënderim i veçantë për mediat kosovare që me profesionalizmin e tyre pasqyruan nga afër këtë spektakël futbolli dhe i dhanë jehonë mbështetjes së madhe që dha Diaspora jonë për Kombëtaren”, ka thënë ai.
Presidenti i FFK-së ka premtuar se do të vazhdojnë të punojnë me gjithë fuqinë për të bërë më të mirën për futbollin dhe për vendin tonë.

“Njëherësh, shpresoj shumë se këta djelmosha që e dhanë më shumë se 100 përqindshin e tyre në ndeshjen e mbrëmshme kundër Zvicrës shumë shpejt do të realizojnë ëndrrën tonë të përbashkët – pjesëmarrjen në eventet e mëdha të futbollit evropian e botëror”, ka shkruar Ademi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot u mbajt Kuvendi zgjedhor i Rinisë së Nismës Socialdemokrate…