
Presidenti i Finlandës propozon modelin e Kosovës si zgjidhje për paqen në Ukrainë
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka sugjeruar që procesi i paqes për Ukrainën mund të ndjekë një qasje të ngjashme me atë të Kosovës.
Gjatë ditës së tretë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ai ka theksuar nevojën për një të dërguar të posaçëm evropian, ashtu siç ishte Martti Ahtisaari për Kosovën.
“Nëse mund të hedh lirshëm një ide, nëse ka një tryezë bisedimesh, mendoj se ne duhet të bëjmë diçka të ngjashme që u bë në Kosovë,” tha Stubb, duke iu referuar diplomacisë që çoi në fundin e luftës së viteve 1998-99.
Ai ka theksuar se “Evropa duhet të ketë një të dërguar special si Martti Ahtisaari dhe një zëvendës të dërguar që është në nivelin e Keith Kellogg”.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur ShBA-ja ka bërë të qartë se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës.
Në Konferencën e Sigurisë, zv/presidenti amerikan JD Vance kritikoi udhëheqësit evropianë për mungesën e veprimit në çështjet e sigurisë dhe migracionit, duke i vendosur ata nën një presion të shtuar për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.