
Presidenti i Izraelit: Gjatë Holokaustit populli shqiptar ishte simbol nderi dhe kurajoje
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka pritur në një vizitë zyrtare kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të cilit i ka ndarë Medaljen Presidenciale të Nderit.
Herzog, i cili vetë ishte në Shqipëri shtatorin e kaluar, e mirëpriti Ramën në Izrael duke i shprehur falënderimin për mbështetjen e fuqishme të popullit shqiptar për popullin hebre.
Presidenti izraelit nuk ka harruar strehimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë, duke përmendur edhe Kodin e Besës në mesin e popullit shqiptar.
“Është nder e kënaqësi t’ju akordoj medaljen presidenciale të Izraelit. Medalja presidenciale e nderit e Izraelit nderon ata që kanë ndriçuar botën me udhëheqjen e tyre e të jashtëzakonshme, qartësinë morale dhe vlerat demokratike dhe ata që kanë dëshmuar miqësinë tyre të guximshme me popullin hebre dhe Izraelin. Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, ndihet i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në orët më të errëta”.
“Gjatë Holokaustit, populli shqiptar ishte simbol nderi dhe kurajoje. Me kurajo iu dhanë strehë grave e burrave hebreje, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Europës dhe duke bërë këtë ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qenieve njerëzore. Kjo thirrje integriteti e nderi rrënjosur fort në popullin tuaj, gjen jehonë në qëndrimin tuaj të pakompromis kundër antisemitizmit e urrejtjes. Unë personalisht u mallëngjeva gjatë vizitës time në Tiranë në shtator nga dhembshuria prekëse”, ka thënë presidenti izraelit.