Presidenti i KE-së zotohet se do t’i luftojë ‘lajmet e rreme’ para zgjedhjeve në BE
Presidenti i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker është zotuar se do të godasë çdo “lajm të rremë” gjatë fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Evropian, që do të mbahen në maj.
“Nëse qeveritë bëjnë pretendime për Bashkimin Evropian ose Komisionin, të cilat nuk korrespondojnë me të vërtetën, atëherë do të përgjigjemi”.
“Unë tashmë kam parë përpjekje për të ndikuar zgjedhjet e Parlamentit Evropian me manipulime, që vijnë nga disa kënde, jo vetëm jashtë BE-së. Edhe shtetet brenda BE-së po bëjnë përpjekje të drejtojnë vullnetin e elektoratit me lajme të rreme”, ka thënë Junckeri në një intervistë për grupin mediatik “Funke” të Gjermanisë.
Sipas tij, Komisioni Evropian është i përgatitur për t’i luftuar të gjitha këto lajme.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen nga 23 deri më 26 maj.
Pjesëmarrja në to ka rënë vazhdimisht gjatë viteve të fundit, derisa partitë euroskeptike kanë shënuar fitore të mëdha.