Presidenti i Kinës, Trumpit: S’kemi mbajtur gjë fshehur për virusin
Presidenti kinez Xi Jinping ka telefonuar homologun amerikan Donald Trump në kohën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zënë vendin e tretë në botë për nga numri i të infektuarve me koronavirus. Sipas mediave kineze, Xi ka thënë se Kina dhe SHBA-ja “duhet të bashkohen në luftën kundër virusit”. Ai, po ashtu, ka insistuar që Pekini ka qenë gjithmonë transparent rreth shpërthimit fillestar të virusit, duke hedhur poshtë pretendimet e bëra nga Trumpi që, kinse, Kina e ka njoftuar botën shumë vonë për koronavirusin.
Presidenti kinez ka thënë t’i ketë ofruar mbështetje ShBA-së dhe se shpreson se Uashingtoni do të marrë masa për ta ruajtur shëndetin e shtetasve kinezë në tokën amerikane.
Kina deri më tani ka nisur ndihmë në dhjetëra vende evropiane, aziatike dhe afrikane, të cilat po përballen me rritje e sipër të numrit të të infektuarve me sëmundjen COVID 19 që shkakton koronavirusi i ri.
Aktualisht në Shtetet e Bashkuara është thënë të jenë prekur nga kjo sëmundje mbi 85 991, kurse 1 296 kanë vdekur./REL