Presidenti i Kroacisë e quan Vuçiqin nxitës të luftës, reagon Vulini
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, duke iu referuar zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) në Forumin Botëror të Liderëve në Nju Jork, i cili është mbajtur të hënën ka vlerësuar se jo të gjitha vendet e Evropës Juglindore e kanë motivimin e nevojshëm për t’u anëtarësuar në BE.
Milanoviqi ka theksuar se për Serbinë pengesa më e madhe në rrugën e anëtarësimit është presidenti Aleksandër Vuçiq, për të cilin ka thënë se “është një nga nxitësit më të shquar të luftës në vitet ’90”, raporton mediumi kroat, “Telegram”.
Negociatat për pranimin e Serbisë në BE filluan në vitin 2014, ndërsa deri më tani ajo ka hapur 18 kapituj dhe ka mbyllur përkohësisht dy. Milanoviqi ka shprehur bindjen e tij se Serbia “nuk ka qëllim të fortë” për t’u anëtarësuar në BE, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ka thënë se “po punojnë shumë dhe po luftojnë”.
Reagimi i Qeverisë në Beograd ndaj kësaj deklarate mbërriti sot. Ministri i brendshëm serb, Aleksandër Vulin ka thënë se Milanoviqi “i përket politikanëve më budallenj kroatë”, raporton “N1”.
“Në Kroaci, politikanët ndahen në ustashë të hapur dhe të fshehtë. Kur, duke mos ditur se ishte filmuar në një takim me të ashtuquajturit mbrojtës, ai pranoi me krenari rrënjët e tij ustashe, Milanoviq vërtetoi se ai i përkiste pasuesve të fshehtë të lëvizjes ustasha”, ka thënë Vulini në një deklaratë.
Ai ka thënë se Milanoviqi është përpjekur ta mbyllte kufirin me Serbinë në vitin 2015.
“I përket politikanëve më budallenj kroatë. Ai e konfirmon këtë çdo ditë kur e sulmon Serbinë dhe Vuçiqin”, ka thënë Vulini.