Presidenti i Kroacisë: Osmani kërkonte shumë, disa gjëra u hoqën për shkak të Serbisë
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka deklaruar të hënën se është arritur një kompromis në takimin e procesit të “Brdo-Brijumit”, në të cilin dikush duhej të hiqte dorë nga diçka, duke përmendur si shembull presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sipas tij ishte më kërkuese.
Siç ka deklaruar ai në konferencën për medie të mbajtur së bashku me presidentin slloven, Borut Pahor, pas samitit, kishte disa qortime, ngritje tonesh dhe keqkuptime në takimin e sotëm dhe për shkak të kundërshtimit të Serbisë, disa pjesë në kërkesën e Kosovës “duhej të hiqeshin”.
“Le të themi se agjenda e presidentes së Kosovës ishte disi më ambicioze dhe se për shkak të kundërshtimit të Serbisë, disa pjesë duhej të hiqeshin”.
“Unë e shoh këtë si një çmim të pranueshëm për një dokument që është i mirë sepse, domethënë, Sllovenia dhe Kroacia janë këtu për të ndihmuar vendet që janë kryesisht në procesin e integrimit, në fazën ku ishim në 15 ose 20 vjet më parë. Motivet tona nuk janë as mentorim, as tutor, as ndonjë karrierë dhe përbërës biografikë për ndonjë prej nesh, por për të ndihmuar shtetet sepse ne shohim interes për këtë”, ka thënë ai.
Në samitin, i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura, pa prezencën e medieve, kanë marrë pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, presidenti kroat, Zoran Milanoviq, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, Zheljko Komshiq, Shefik Gjaferoviq dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.