Presidenti i Libanit: Ekziston mundësia që shkaku i shpërthimit në Bejrut të jetë një raketë ose bombë
Presidenti i Libanit tha se hetimet rreth shpërthimit të depove në Bejrut nuk kanë arritur të përcaktojnë nëse është shkaktuar nga pakujdesia, një aksident apo ndërhyrje e mundshme e jashtme.
Michel Aoun u tha mediave lokale se “shkaku nuk është përcaktuar ende”, raporton aljazeera.
“Ekziston mundësia e ndërhyrjes së jashtme me një raketë, bombë ose një akt tjetër”, u shpreh Aoun.
Ai tha se hetimi i shpërthimit në depo, ku ndodhej materiali shumë eksploziv, po zhvillohet në tre nivele.
“Së pari, si hyri dhe u ruajt materiali eksploziv…së dyti, nëse shpërthimi ishte rezultat i pakujdesisë apo një aksident…dhe së treti, mundësia që të kishte ndikime të jashtme”, u shpreh ai.
Ndryshe, autoritetet shtetërore kanë konfirmuar se deri më tani kanë ndërruar jetë mbi 150 persona dhe janë lënduar mbi pesë mijë persona. /Telegrafi/