Presidenti i Malit të Zi: BE-ja ta miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet ta miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën dhe t’i japë shtysë shtesë procesit të negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.
Në një intervistë për “TV21” të Shkupit, Gjukanoviqi ka thënë se ai është i mendimit se BE-ja duhet t’i fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Liberalizimi i vizave duhet t’i jepet Kosovës dhe një shtysë shtesë në procesin e negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë”, ka thënë Gjukanoviqi.
Më tutje, ai ka vënë re se vonesa në zgjerimin e Bashkimit Evropian, kur ishte radha e Ballkanit Perëndimor, lë hapësirë për ndikimin e palëve të treta.
“Për fat të keq, ato palë të treta po veprojnë nga platforma që janë kundër interesave thelbësore evropiane dhe kjo sjell konfuzion shtesë në politikat e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Gjukanoviqi.
Sipas tij, tani jemi dëshmitarë të ideve të rinovuara në lidhje me rikompozimin e Ballkanit Perëndimor.
Ai ka theksuar se këto ishin idetë nga fillimi i viteve 1990, kur idetë e formimit të tri shteteve të mëdha të Ballkanit Perëndimor funksiononin ende.