Presidenti i Malit të Zi: Jam malazez dhe flas serbisht
Jakov Millatoviq ka deklaruar se e identifikon veten si malazez që flet gjuhën serbe.
Në një deklarim për televizionin malazez A1, presidenti i Malit të Zi tha se gjuha që e flet nuk është përcaktues për dashurinë ndaj vendit.
“Këtë e di i gjithë Mali i Zi, kombësia ime është malazeze dhe flas serbisht. Nga ana tjetër, nuk mendoj se njerëzit që flasin gjuhën malazeze e duan më pak këtë vend dhe anasjelltas, nëse dikush që deklarohet si serb, e do më pak këtë vend. Thjesht nuk i nxjerr kurrë në plan të parë këto gjëra dhe nëse dikush më pyet, unë përgjigjem pa hezitim. Secili në këtë vend ka të drejtë të thotë çfarë gjuhe flet”, tha Millatoviq në TV A1 gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale në të cilat ai është i përfshirë.
Deklarata e Millatoviqit se flet në gjuhën serbe kur u pyet nga presidenti serb në forumin në Pragë ka shkaktuar më herët indinjatë tek një pjesë e opinionit.
“Unë e njoh shumë mirë Kushtetutën dhe ajo thotë se gjuha zyrtare është malazeze dhe se gjuha serbe është edhe në përdorim zyrtar. Kur bëhet fjalë për ndjenjën kombëtare dhe gjuhën që flas, kam qenë i qartë dhe transparent, në krahasim me disa politikanë që u përpoqën ta shmangnin këtë çështje”.
“Para së gjithash, unë jam ekonomist, njeri i arrirë profesionalisht, bashkëshort, baba, prind, njeri që është kthyer në Podgoricë dhe në Mal të Zi”, ka përfunduar presidenti malazez, Jakov Millatoviq.
Presidentët e Serbisë dhe Malit të Zi, Alleksandar Vuçiq dhe Jakov Millatoviq, më 31 gusht patën një polemikë të shkurtër për “gjuhën e përbashkët” në panelin “Aderimi i Ballkanit Perëndimor në BE” në Pragë, në kuadër të Forumit GLOBSEC.
“Mendoj se publiku mund të shohë se sa shumë nuk pajtohemi unë dhe Alleksandri, dhe kjo është legjitime. Tani ka një zgjedhje të qartë se ku dëshironi të shkoni. Është e qartë për Malin e Zi, nuk e di nëse është e qartë për Serbinë, por është legjitime të ketë një qëndrim të paqartë se ku duan të shkojnë. Mendoj se Serbia, si ekonomia më e madhe në rajon, është e rëndësishme. Ju e dini se ne të gjithë në thelb flasim të njëjtën gjuhë”, tha Millatoviqi.
“Serbisht. Ju flisni serbisht”, shtoi Vuçiqi.
“Nga ana linguistike, është praktikisht e njëjta gjuhë. E quajnë ndryshe, disa e quajnë… Por kjo nuk është problem”, ka theksuar Millatoviqi.
“Por ajo është gjuhë serbe”, shtoi Vuçiqi.