Presidenti i Malit të Zi: Po kthehet ideja e ‘Serbisë së Madhe’
08 dhjetor 2020
| 16:21
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se beson se Serbia është kthyer në politikën e saj të viteve ’90-ta.
Sipas Gjukanoviqit, Serbia është duke rrezikuar sovranitetin e vendeve fqinje me idenë e saj për një “Serbi të re të Madhe”.
“Duke pretenduar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të rrezikuar në rajon, Serbia në të vërtetë po e rrezikon sovranitetin e vendeve fqinje dhe duke shpallur në mënyrë të qartë, por në dukje duke kamufluar idenë e saj për një ‘Serbi të Madhe të re’”, ka thënë Gjukanoviqi për agjencinë e lajmeve “Beta”.
Presidenti malazez ka folur edhe për marrëdhëniet e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Gjukanoviqi ka thënë se nuk ka asnjë komunikim me Vuçiqin, e as ndonjë marrëdhënie biznesi.