Presidenti i Maqedonisë së Veriut: S’ka institucion që s’ka shqiptarë

06 shkurt 2024 | 16:49

Talat Xhaferi është kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili do të drejtojë qeverinë teknike deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Lidhur me emërimin e tij në këtë detyrë të rëndësishme, ka folur për “Euronews Albania”, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Pendarovski është shprehur se me Talat Xhaferin njihen edhe privatisht më të, duke shtuar se ai është i paanshëm dhe korrekt në punën e tij.

“Në këto 20 vitet e shkuara, pasi është nënshkruar marrëveshja e Ohrit, shqiptarët janë të përfaqësuar shumë mirë në të gjithë sistemin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nuk ka asnjë institucion ku ata nuk kanë qasje. Ne kemi shqiptarë në funksione shumë të larta. Nëse në vitin 2001 kishte 2.4 për qind  tani është në nivelin e 21 për qind. Kishim president shqiptar, tani kemi kryeministër. Nuk kam dyshim që do të jetë kryeministër nëse do të ketë votat e të gjithëve, të shumicës bëhet fjalë”.

“Me zotin Xhaferi ne punojmë edhe në mënyra zyrtare, por njihemi edhe privatisht që në vitet e shkuara. Talat Xhaferi ka punuar në mënyrë profesionale, i paanshëm dhe kjo ka qenë një nga arsyet pse LSDM-ja i dha mbështetje për të qenë kryetar i Parlamentit në Maqedoni”, ka thënë Pendarovski.

Ai ka folur edhe për mandatin e tij si president, ndërsa ka thënë se në pesë vitet e shkuara ka qenë i njëjtë për të gjithë, pavarësisht se kujt etnie i përket.

“Sa i përket shqiptarëve më vini në një pozicion jo shumë të rehatshëm, por mund të them se në 5 vitet e shkuara shqiptarët në aktivitetet e mia të përgjegjësisë kanë arritur në pozicionet më të larta. Kemi gjeneralë, anëtarë të Këshillit të Sigurisë, etj”.

“Nuk e di nëse mendoni për 5 vitet e shkuara, por 20 vitet e tjera pasi kam qenë në pozicione të tjera të vështira. Momenti më i vështirë ka qenë në vitin 2001, por arritëm një marrëveshje shumë të mirë falë negociatave. Kaluam 7 muaj të vështirë dhe arritëm në marrëveshjen e Ohrit”, ka thënë Pendarovski.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka miratuar…