Presidenti i Moldavisë lëndohet lehtë pas një aksidenti në trafik
Presidenti i Moldavisë, Igor Dodon ka pësuar lëndime të lehta trupore, pasi makina me të cilën po udhëtonte është përfshirë në një aksident trafiku, kanë thënë zyrtarët e këtij shteti.
Kreu i Shërbimit shtetëror të Sigurisë, Anatloie Golea, ka thënë se presidenti Dodon ka pësuar vetëm disa gërvishtje dhe ka disa hematoma nga aksidenti, që ka ndodhur të dielën në veri të kryeqytetit moldav, Kishiniev.
Ai nuk ka dhënë detaje të tjera. Ndërsa këshilltari i presidentit, Maksim Lebedinschi, ka thënë se aksidenti ka ndodhur në afërsi të qytetit Straseni, kur makinat, pjesë e eskortës së presidentit, janë përplasur me një makinë, teksa ishin duke tejkaluar një automjet tjetër.
“Dodon është mirë dhe nuk ka nevojë për ndihmë mjekësore”, ka thënë këshilltari Lebedinschi.