Presidenti i Polonisë nga Tirana: BE-ja duhet t’i mbajë dyert e hapura për anëtarësim e Ballkanit
Pas përfundimit të Samitit të Brdo-Brijunit në Tiranë, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) duhet t’i mbajë dyert e hapura për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe të gjejë programe e instrumente që e mbështesin një gjë të tillë.
“Historia e këtyre tokave është mjaft e vështirë. Për mua kjo është diçka e ndryshme me atë që përballemi në Poloni. Këto dukuri në vendin tim kanë ndodhur në Luftën e II Botërore, por këto çështje tani mund të diskutohen me qetësi dhe nuk ka më mëri. Këto çështje duhet të diskutohen dhe zgjidhen nëpërmjet dialogut mes liderëve dhe drejt rrugës së tyre në BE. Kjo është një detyrë e madhe e Brukselit dhe vendeve anëtare të BE që ta kuptojë këtë proces dhe ta mbështesin. Ky është një rol i madh që luhet nga dy vendet. Evropa Juglindore ka nevojë për Evropën dhe anasjelltas. BE-ja duhet t’i mbajë dyert e hapura për anëtarësim, të gjejë programe dhe instrumente që e mbështesin këtë gjë”, ka thënë presidenti Duda.