Presidenti i Polonisë për herë të dytë infektohet me Covid
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus. Lajmin e ka bërë me dije një ndihmës i tij i lartë të mërkurën, pasi disa persona përreth tij gjithashtu janë infektuar.
“Presidenti ndihet mirë, nuk është i sëmurë seriozisht dhe ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore”, ka thënë ndihmësi i tij, Pawel Szrot, duke shtuar se Duda ndodhet në izolim.
Duda ishte infektuar me koronavirus edhe në tetor të vitit 2020, shkruan “Reuters”.
Ndryshe, Polonia ka raportuar numër më të ulët të rasteve ditëve të fundit, por ky mund të jetë efekt i zvogëlimit të numrit të testimeve në periudhën e festave.
Varianti “Omicron” ende nuk është përhapur shumë në Poloni. Ministria e Shëndetësisë tha të martën se vetëm 2.5 për qind e rasteve janë me këtë variant, por pritet që ai të bëhet mbizotërues nga fundi i janarit.